AlbanianSport.com 05.02.2015 21:35
ASNN – Barleti Volej është fituesja e trofeut të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Pas takimeve gjysmëfinale të luajtura të mërkurën, skuadra universitare ka triumfuar në 3 sete ndaj bardhebluve në finalen e së enjtes, të zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.
Të premten dhe të shtunën është radha e gjysmëfinaleve dhe finales së meshkujve.Veprimtaria e dytë e volejbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka mbyllur garën e saj tek femrat dhe, pasi ka siguruar pak ditë më parë Superkupën, Barleti Voleji ka bërë të vetën edhe trofeun e Kupës, duke triumfuar në 3 sete ndaj rivales kryeqytetase.
Pasi kishin triumfuar në 3 sete ndaj Partizanit, në takimin e parë gjysmëfinal, të luajtur të mërkurën, kampionet në fuqi të Barleti Volej, të drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi, kanë vijuar të mos gabojnë as në finale. Në setin e parë, Barleti Volej ka fituar shpejt, në shirat 25-19.
Por nuk ka ndodhur kështu në dy setet e tjera, pasi Tirana ka kërcënuar të përmbysë gjithçka. Madje bardheblutë e udhëhequra nga trajneri Adrian Gorenxa dhe të mbështetura në përvojën e veteranes Amarilda Prenga, kanë kryesuar gjatë në të dy setet.
Por përvoja dhe cilësia në përbërje kanë bërë diferencën dhe Barleti Volej i fiton edhe të dy setet e fundit, përkatësisht 25-22 dhe 25-21 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-0, duke marrë edhe vlerësimin e trajnerit Gurabardhi. Të premten dhe të shtunën është radha e gjysmëfinaleve dhe finales së meshkujve.