Gjergj Vyshka 26.09.2015 14:35
Në një bashkëpunim të plotë midis trajnerit Hasan Gurabardhi dhe sponsorit Rogert Huqi tashmë është menduar edhe ideja e ngritjes së Akademisë në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani” në kryeqytet. Barleti Volej, kampionia në fuqi e volejbollit të femrave shqiptare, është në prag të një turneu ndërkombëtar në Stamboll të Turqisë. Sebepi, të paktën edhe sipas sponsorit të skuadrës kampione, Rogert Huqit, i cili së bashku me presidenti Gafurr Duda kanë forcuar financat për skuadrën, është drejtori teknik i ekipit.
Bëhet fjalë për turkun Faruk Eçel, që tashmë do të jetë edhe në krye të Akademisë së Barletit Volej, e cila do të ngrihet në palestrën moderne të shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”. Një palestër moderne, e cila sipas Gurabardhit, edhe duke pasur mjedis të bollshëm me një kapacitet prej 200 vendesh të ulura, është një mundësi e mirë për të luajtur ndeshjet e kampionatit atje. Pra në një farë mënyre Barleti Volej i ka bërë “dalje” sallës Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, edhe pse tre vjet më parë me financat e biznesmenit Ilir Çeka u rikonstruktua parketi.
“Në fakt, – thotë Gurabardhi, – në një bisedë tavoline më thonë që është një palestër e tillë, atje ku është mësues fizkulture vëzhguesi i gjyqtarëve të futbollit, Kastriot Hysi. Dhe e pash e ne kemi ditë e muaj që kemi nisur përgatitjet atje. Duhet të falënderojmë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por dhe drejtorinë e Shkollës, e cila u tregua e gatshme që ne të shfrytëzojmë mjedisin, i cili paradite do të jetë për nxënësit. Dhe në këtë ide ne kemi hedhur dhe idenë e ngritjes së Akademisë për moshat 8-16 vjeç, ndërsa pranë nesh do të jetë edhe Agim Doraci.”
“Që do të thotë se Barleti Volej do të ketë edhe ekipe para të rejash dhe të rejash për të vazhduar traditën. Palestra pritet të kompletohet me tabelën elektronike dhe rrjetën e duhur e ne shumë shpejt do të bëjmë dhe inaugurimin”, – ka përfunduar trajneri Hasan Gurabardhi.