Gjergj Vyshka 26.09.2015 08:35
Barleti Volej, kampionia në fuqi e volejbollit të femrave shqiptare, është në prag të një turneu ndërkombëtar në Stamboll të Turqisë. Sebepi, të paktën edhe sipas sponsorit të skuadrës kampione, Rogert Huqit, i cili së bashku me presidenti Gafurr Duda kanë forcuar financat për skuadrën, është drejtori teknik i ekipit.
Bëhet fjalë për turkun Faruk Eçel, që tashmë do të jetë edhe në krye të Akademisë së Barletit Volej, e cila do të ngrihet në palestrën moderne të shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”. Por cilat janë kundërshtarët e Barleti Volej në turneun që do të mbahet nga data 28, deri më 30 shtator 2015 në Stamboll?
Dhe programin e veprimtarisë e bën të ditur sponsori Huqi. “Më 28 shtator, – thotë Huqi për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, – do të luajmë përballë Maltepesë. Një ditë më vonë do të jemi përballë Jeshiljurit. Dhe turneun do ta mbyllim të mërkurën me Beshiktashin.”
Skuadra niset të dielën drejt Stambollit. “Ne shpresojmë që të kemi mundësinë dhe shitjen e ndonjë lojtareje në këtë bashkëpunim me Turqinë”, – tregon Huqi, ndërsa trajneri Hasan Gurabardhi nuk ka ngurruar të thotë se ndoshta sezonin e ardhshëm Erblina Bici do të jetë në A1 në Turqi, pse jo tek Beshiktashi.