Gjergj Vyshka 29.09.2015 15:25
Kampionët në fuqi të drejtuar nga Hasan Gurabardhi kanë fituar pastër 3-0 me Maltepen. Sot ndeshja e radhës me Jeshiljurnin. “Barleti Volej”, kampionia e Shqipërisë në volejboll për femra, e ka nisur mbarë turneun e saj në Turqi. Të paktën sipas informacionit që ka dhënë në linjë telefonike trajneri i kësaj skuadre, Hasan Gurabardhi, Barleti Volej ka fituar pastër 3-0 me Maltepenë.
Nëse në dy setet e para ka pasur vështirësi për skuadrën tonë, e cila në gjirin e saj ka lojtare si Braho, Bici, Xhixha, Thaka, Zeqirllari, Fagu, Marvina Tuci, etj, në të tretin gjithçka ka qenë më e lehtë për Barletin Volejn. Dy setet e para, Barleti Volej i ka fituar 25-21, kurse në të tretin diferencat janë edhe të mëdha dhe në përfundim 25-15, duke marrë kështu gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0.
Ndeshja e radhës për Barletin Volej do të jetë sot me Jeshiljurnin për ta mbyllur më pas turneun me një ndeshje “luksi” përballë Beshiktashit. I gjithë ky turne është siguruar nga sponsori Rogert Huqi, i cili ka marrë përsipër që të forcojë financat për Barletin Volejin së bashku me presidentin Gafurr Duda.
Pa harruar këtu që një turk si Faruk Eçel ka marrë përsipër të jetë dhe Drejtori Teknik i skuadrës dhe Drejtori i Akademisë, të cilën Barleti Volej do ta ngrejë tek palestra e shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”. Përfundimisht, me fitoren 3-0 ndaj Maltepesë, Barleti Volej e ka nisur me këmbë të mbarë turneun e saj turk.