AlbanianSport.com 22.01.2017 13:25
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, është zgjedhur ditët e fundit si president i Federatës Ballkanike të Volejbollit. Organizmi që qeveris volejbollin në rajon ia ka besuar këtë detyrë kreut të rrjetës shqiptare gjatë Asamblesë Vjetore që u mbajt gjatë këtyre ditëve në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë.
Një tjetër zhvillim pozitiv i kësaj Asambleje ishte edhe pranimi, me të drejta të plota, i Kosovës së anëtare e Federatës Ballkanike të Volejbollit. Një gjë e tillë edhe si pasojë e lobimit që presidenti i FSHV-së, Pëllumbi, ka bërë me federatat e tjera të basketbollit në Ballkan.
Zgjedhja e Pëllumbit në krye të volejbollit në Ballkan, vjen në një periudhë të mirë për volejbollin shqiptar, sidomos atë të femrave, pasi Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajnerët Altin Martiri dhe Roland Tarja, kanë spikatur me paraqitjen e tyre në Ligën e Evropës.
Ndonëse nuk arriti të kualifikohej përtej fazës së grupeve në 2016-ën, Shqipëria mori dy fitore, ndaj Bjellorusisë dhe Polonisë, dhe premton për një paraqitje edhe më të mirë gjatë edicionit të 2017-ës.