AlbanianSport.com 22/01/2024 21:40
ASNN – Erblira Bici ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme të dielën përballë skuadrës më të mirë të nivelit më të lartë të rrjetës italiane të femrave, duke qenë pikëshënuesja e dytë më e mirë e ndeshjes. Ajo ka shënuar 24 pikë, duke i dhënë praktikisht e vetme një set skuadrës së saj, por kjo ka mjaftuar për të siguruar vetëm një pikë skuadrës së saj, Romës, që është mundur 2-3 në fushën e vet. Megjithatë, për të dhe skuadrën e saj, kjo pikë ka patur shijen e fitores.
“Imoko Koneljano është një ekip që e njeh gjithë bota, pasi ka fituar edhe Botërorin e klubeve më volejboll, ka fituar edhe Ligën e Kampioneve, është 5 vite radhazi kampione e Italisë dhe ka lojtarë të një niveli vërtet shumë të lartë, – ka deklaruar Bici gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë të hënën për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. – Për ne ishte vërtet kënaqësi dhe normalisht, të arrish edhe një humbje 2-3 përballë një skuadre kaq të fortë, ishte me të vërtetë si një “fitore” për ne.”
Po si ka qenë në përgjithësi ky sezon për Romën, duke patur parasysh se sapo është ngjitur në Serinë A1 si kampione e A2-shit dhe a është “play-off”-i synimi i Romës apo është mbijetesa? “Klubi ynë ka patur një projekt, që na nisur që vitin e shkuar, duke fituar Serinë A2, madje me shifra rekord, por edhe duke fituar Kupën e Italisë për Serinë A2, por me ngjitjen në A1, mbijetesa është objektivi kryesor i klubit”, – përgjigjet 28-vjeçarja.
“Në fakt, ne mbyllëm një fazë të parë në vendin e 7-të, apo thënë ndryshe në mesin e artë, gjë që nuk parashikohej nga askush dhe kemi marrë komplimente nga të gjithë për atë që arritëm të realizonim, – ka vijuar shqiptarja e Romës. – Por është edhe faza e dytë dhe kemi edhe shumë ndeshje për të luajtur dhe shumë ekipe janë përforcuar. Sidoqoftë, objektivi kryesor është mbijetesa, pastaj, nëse do të arrinim të ishim në “play-off”, do të ishim të gjithë të kënaqur”, – ka përfunduar Erblira Bici.