Gjergj Vyshka 13.01.2017 16:15
Drejtori teknik i përfaqësueses së të rriturve që pas përfundimit të edicionit të kaluar në Ligën e Evropës nuk ka pasur asnjë kontakt me Federatën. Dritan Çuko, drejtori teknik i kombëtares së meshkujve në volejboll në edicionin e kaluar të Ligës së Evropës, duket se është i paqartë për pozicionin e tij në këtë përfaqësuese. Edhe duke qenë se do të mësoheshin kundërshtarët si për meshkuj, ashtu dhe për femra, për sezonin e ri të Ligës së Evropës, “Sport Ekspres” ka tentuar t’i bëjë disa pyetje Çukos.
Por nga Çuko, i cili jeton e punon në Gjermani, ka ardhur një tjetër përgjigje jo fort normale për pritshmëritë e punës që duhet bërë për ekipin kombëtar të të rriturve. “Që pas mbarimit të ndeshjeve të Ligës së Evropës, shtuar këtu dhe raportin tim që i ka dërguar kryesisë në lidhje me mbarëvajtjen e ekipit kombëtar, nuk kemi pasur me kontakte mes drejtuesve e meje, – ka pohuar ai. – Pas kthimit në gjermani kam pas vetëm njëherë shkëmbim mesazhesh me presidentin, por kjo jo për çështje volejbolli.”
“Nëpërmjet rrjetit social “Facebook” jam informuar që Federata Shqiptare e Volejbollit vazhdon punën e përbashkët me trajnerin Jani Melka nën drejtimin e ekipit, ka vijuar Çuko. – Se në çfarë pozicioni jam unë në këtë moment as vetë nuk e di dhe, me thënë të drejtën, as nuk kam pas kohë të merrem me këtë. Kështu që për pyetjet e tjera po i kursej fjalët përderisa nuk e di në çfarë roli jam”.