Gjergj Vyshka 24.03.2017 07:55
Vendimet e Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa fundjava, por dhe më parë, ka qenë problematike, janë me “dorë të fortë”, të ashpra, po pse jo dhe kanë goditur “mistrecët”. Mirëpo, të paktën sipas specialistëve të volejbollit, apo dhe të gjykimit të rrjetës, ka mosnjohje të rregullores dhe të filozofisë së lojës së volejbollit, pse jo dhe mungesë të uniformitetit në trajtimin e rasteve.
Një ditë më parë Sport Ekspresi pat marrë reagimin e lojtarit Emiljano Ndoni të Tiranës, i dënuar me një ndeshje dhe 10.000 lekë të rinj gjobë, që i cilësoi dënimet selektive dhe tendencioze. Por në të njëjtën kohë, në një tjetër medie të shkruar sportive, Partizani ka reaguar për këto dënime, të cilat tregon se me pamje filmike është e gatshme të provoji të kundërtën e asaj që ka marrë vendim Komisioni i Disiplinës.
E le t’i marrim rastet një e nga një,,,
Elbasani – Farka Volej
Është e vetmja ndeshje e ndërprerë këtë sezon sportiv për sherr masiv mes të dy skuadrave, ndërsa ka pasur katër ndëshkime të rënda nga gjyqtari kryesor i ndeshjes. Kjo për shkak të zënkës masive dhe goditjeve mes lojtarëve kundërshtar. Komisioni i Disiplinës me të drejtë e ka dënuar lojtarin protagonist, i cili në këtë rast ka qenë Muhamet Gashi.
Ai është pezulluar për pjesën e mbetur të sezonit, vetëm 3 ndeshje, si dhe me një gjobë prej 20.000 lekësh të rinj. Por është e çuditshme që nuk ka dënuar tjetër kënd, ndërsa janë dhe tre lojtarë të tjerë të ndëshkuar nga gjyqtari me pezullim për një set. I drejtë vendimi për t’u riluajtur ndeshja, por nuk ka argument për t’u zhvilluar në fushë asnjanëse, sepse ndërprerja e ndeshjes nuk ka ardhur nga faktorë të jashtëm, që në këtë rast janë spektatorët.
Tirana-Vllaznia
Kjo ndeshje, e luajtur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, përfunduar 3-2, nuk ka pasur qoftë dhe një karton të verdhë. Lojtari i Tiranës, Emiljano Ndoni, i cili është dënuar me një ndeshje duhet të ishte ndëshkuar në lojë për sulmin dhe goditjen e kullës së gjyqtarit të parë. Jo vetëm kaq, por trajneri i Vllaznisë, Mark Krroqi, ka hyrë në fushë, ka duartrokitur në mënyrën ofenduese gjyqtarin e parë, madje kanë duartrokitur të gjithë bashkë, dhe në fakt asnjë ndëshkim me kartonë.
Flamurtari-Korabi
Të paktën sipas raportimeve mediatike, trajneri i Korabit, Fehmi Bulku, ka ndërhyrë për të ndërruar vendimin e arbitrit në të kundërt do të tërhiqte skuadrën nga fusha. E vetëm një karton i verdhë, që është ndëshkim minimal, ndërsa Komisioni i Disiplinës e paralajmëron me këshillim trajnerin Bulku.
Partizani-Studenti
Në këtë ndeshje ka pasur vetëm nga një karton të kuq për Pepajn e Studentit dhe Konon e Partizanit. Megjithëse ka pasur ndërprerje të ndeshjes për shkak të zënkës në të cilën janë përfshirë të gjithë lojtarët, madje dhe ata të stolit. E vërteta është se, gjithnjë sipas gjykimit të specialistëve të volejbollit dhe të gjyqtarit, nuk ka pasur relacion për këtë veprim. Dhe janë dënuar 3 lojtarë të Partizanit, të cilët kanë marrë dhe një gjobë prej 10.000 lekësh.
Por asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar me karton, sikurse dhe Ndoni i Tiranës. Madje duket sikur kërkohet të gjendet një kleçkë për Studentin, që është gjobitur se ka luajtur me të njëjtën ngjyrë me Partizanin në fanellë, ndërsa në fakt për një gjë të tillë nuk është dënuar Vllaznia, kur lojtari i lirë nuk kishte dallim në ngjyrë me lojtarët e skuadrës së vet.