Gjergj Vyshka 21.10.2016 17:05
Studenti në volejboll për meshkuj, e cila më 6-8 dhe 20-22 dhjetor 2016 do të luajë në “Challenge Cup” përballë Zirat Bankasi Ankara, në listën e federimit që ka paraqitur në Federatën Evropiane të Volejbollit dhe që është e pasqyruar edhe www.cev.lu, do të jetë me dy përforcime.
Kuptohet si të huazuar nga Farka Volej, por organizatori Amarildo Deliu dhe shuteri Rejdi Koçi do të jenë pjesë e Studentit në këto dy përballje me turqit. E krahas tyre do të jenë dhe lojtarët që kanë nisur sezonin me Studentin, që janë Kristi Bërdufi, Elvis Muça, Emiljan Xhabrahimi, Anis Çullhaj, Erin Sejati, Aldo Kupi, Denis Rama, Blerim Pepaj, Andi Lundra, Norgen Baruti, Asmend Kula.
E kësisoj Studenti vijon traditën e përforcimeve me huazim, ndërsa edhe vitin e kaluar në përballjen me serbët e Spartak Ljigut pati Anton Qafarenën dhe Ditmir Rrashketën. Shpresohet që kështu përfaqësimi i skuadrës së Arben Sakos të jetë dinjitoz në Kupat e Evropës ndaj turqve të Zirat Bankasi Ankara.