AlbanianSport.com 24/01/2024 14:00
ASNN – Përtej rezultateve të Romës, në planin personal ky po rezulton një sezon mjaft i mirë për të në planin personal, teksa volejbollistja shqiptare, Erblira Bici mban vendin e 6-të në listën e shënueseve më të mira të Serisë A1, me 274 pikë të realizuara në 16 ndeshje, me një mesatare prej mbi 17 pikësh të realizuara për ndeshje. Po a e priste ajo vetë një paraqitje të tillë?
“Natyrisht jo, sepse asnjëherë nuk i dihej si shkonte sezoni, – përgjigjet 28-vjeçarja. – Normalisht, vitin e shkuar isha në Serinë A2 dhe ai është një nivel tjetër. Por të kthehesha në Serinë A1 ishte objektivi im personal, të kthehesha dhe të luaja, të isha një lojtare kryesore e një skuadre, por edhe të provoja veten sesa mund të arrija gjatë një kampionati si A1-shi.”
“Padyshim që jam e kënaqur që jam midis atyre emrave që janë aty në atë listë, sepse janë me të vërtetë nga më të fortat e botës”, – ka shtuar Bici. Dhe kjo paraqitje natyrisht nuk ka kaluar pa u vënë re dhe pa u vlerësuar nga rivalet. Po sa e vështirë do të jetë për Romën qa të mbajë edhe për sezonin tjetër? “Në fakt, Roma ka shprehur dëshirën që në dhjetor që të rikonfirmojë kontratën me mua dhe të jem pjesë e kësaj skuadre edhe për sezonin tjetër”, – zbulon volejbollistja kuqezi.
“Por, bashkë me menaxherin tim jemi duke parë dhe duke vlerësuar ofertat që po vijnë, por ka kohë akoma dhe padyshim që, në kohën e duhur, do të vendosim për atë që do të jetë më e mira për mua”, – ka theksuar Bici, e cila ka folur në fund edhe për Kampionatin Kombëtar të Volejbollit dhe se cilën skuadër shikon ajo si favorite për titull këtë sezon.
“Të jem e sinqertë, e kam ndjekur pak, por jam munduar të marr sidoqoftë informacione për ekipet nga mediat dhe rrjetet sociale dhe më pëlqen që disa skuadra janë përforcuar me lojtare të huaja dhe kjp e rrit nivelin e kampionatit, – thotë ajo. – Nga ajo që kam parë, vërej se Skënderbeu, Partizani dhe Tirana po luftojnë për titullin dhe më bëhet qejfi që niveli po rritet dhe po investohet diçka më tepër në kampionatin shqiptar të volejbollit”, – ka përfunduar volejbollistja shqiptare e Romës, Erblira Bici.