AlbanianSport.com 07.01.2016 20:40
ASNN – Sipas asaj që raporton e përditshmja prestigjioze sportive franceze, “L’Equipe”, presidenti i përjashtuar i UEFA-s, Mishel Platini, e ka tërhequr kandidaturën për president të FIFA-s. “Kam tërhequr kandidaturën time, – ka thënë ai. – Nuk mundem që më të vazhdoj në këtë garë. Nuk kam kohë, as të shoh votuesit, as të takohem me njerëz e as të luftoj me të tjerët.”
Platini, i cili ka udhëhequr institucionin më të lartë të futbollit në Evropë, është dënuar nga Komiteti i Etikës në FIFA më 21 dhjetor 2015 me tetë vjet përjashtim nga të gjitha aktivitetet në futboll, së bashku me presidentin e FIFA-s, Sep Blater. 60-vjeçari Platini shpreson që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të vërë në vend drejtësinë dhe t’i rikthejë atij pafajësinë.
Kështu, Mishel Platini tërhiqet nga gara për Presidencën e FIFA-s, zgjedhjet e së cilës do të mbahen më 26 shkurt të këtij viti. Lajmi është konfirmuar nga vetë francezi, i cili është pezulluar për 8 vite për shkak të një pagese të pandershme të marrë nga Sep Blateri në vitin 2011.
“Nuk mundem, nuk kam as kohë dhe as mjetet e duhura, që të takoj persona dhe të garoj me kandidatët e tjerë. Tani do t’i kushtohem plotësisht mbrojtjes time”, – ka deklaruar Platini për prestigjiozen franceze “L’Equipe”. Numri një i UEFA-s u pezullua nga Komiteti i Etikës në FIFA dhjetorin e kaluar, së bashku me Blaterin, për shkak të një pagese të pajustifikuar prej rreth 1,94 milionë dollarësh të bërë nga zvicerani për francezin.