E ndërsa disa largohen të tjerë pritet të mbërrijnë, por duket se kontingjenti tjetër nuk do të ketë më nevojë për provë, sepse janë futbollistë të njohur të kampionatit shqiptar. Njëri prej tyre, Endri Vrapi, i paralajmëruar nga “Sport Ekspres” që në mbrëmjen e së enjtes, dje ka avancuar së tepërmi në bisedime telefonike me stafin kuqeblu dhe sot pritet të jetë në qytetin e Shkodrës për të mbyllur gjithçka me drejtuesit e Vllaznisë.
Një gjë të tillë e konfirmon për “Sport Ekspres” edhe administratori i KF Vllaznia, Astrit Gjyrezi, i cili bën të ditur se paraditen e sotme do të presë në zyrën e tij Vrapin, që, sipas tij, pasi ka mbyllur me mirëkuptim kontratën me Partizanin, ku ishte pjesë e gjysmës së parë të sezonit, pritet që pjesën e dytë të vishet kuqeblu. Gjyrezi shton se në prizmin teknik futbollisti Vrapi konsiderohet si një pikë e fortë e këtij reparti.
Lojtari, gjatë pasdites të së enjtes, ka komunikuar gjatë përmes telefonit me trajnerin e Vllaznisë, Armando Cungu, me të cilin ka gjetur gjuhën e përbashkët, për sa i përket aspektit teknik. Për pjesën tjetër të karakterit administrativ, Kalamishi thotë se ajo do të vendoset në takimin dypalësh që do të zhvillohet sot në Shkodër. Sipas tij, në një farë mënyre, Vrapit i janë bërë me dije parametrat e asaj që ofron në kontratë Vllaznia dhe thuajse mund të quhet një çështje e mbyllur.
Ndonëse nuk ka dëshirë të flasë përpara kohe me emra konkret, administratori Gjyrezi shfaqet optimist se brenda dy-tre ditëve do të bëjnë realitet edhe dy emra të tjerë futbollistësh shumë të njohur të kampionatit shqiptar, të cilët pritet të vishen kuqeblu për llogari të repartit të mesfushës dhe sulmit duke përmbushur edhe kërkesat e stafit kuqeblu me nga një futbollist në secilin repart.