AlbanianSport.com 27.09.2015 19:50
ASNN – Trajneri Luan Zmijani jep dorëheqjen nga stoli i Vllaznisë pas 5 humbjeve radhazi. Skuadra shkodrane u mposht sërish ditën e diel, këtë herë nga Laçi 0-1, humbje kjo e cila ishte e 5-ta për ta në Kategorinë Superiore, duke shënuar edhe nisjen më të keqe të një seonë historinë e klubit.
Humbja e fundit e ka detyruar trajnerin e Vllaznisë, Luan Zmijani të dorëhiqet nga detyra që mbante. Në fakt ky vendim erdhi pas një takimi të trajnerit dhe stafit teknik të kuqebluve veriorë me Drejtorin Sportiv, të cilit i kanë paraqitur dorëheqjen e parevokueshme.
Kështu përveç Zmijanit largohet nga drejtimi i Vllaznisë edhe trajneri i portierëve Dani dhe ndihmëstrajneri Dibra. Vendimin e tij Zmijani e bëri publik me një deklaratë për shtyp, ku thekson se e ka hedhur këtë hap bashkë me pjesëtarët e tjerë të stafit teknik duke marrë të gjitha përgjegjësitë për 5 humbjet radhazi.
Sipas tyre, ky veprim ndërmerret me shpresën se ata që do t’i zëvendësojnë do të mund ta nxjerrin Vllazninë nga situata e rëndë ku ndodhet. Sipas Zmijanit, arsyet mosgrumbullimit të qoftë një pikë në 5 ndeshjet e para janë zhvillimi i ndeshjeve jashtë Shkodrës si dhe gjykimet në dëm të Vllaznisë.