AlbanianSport.com 18/08/2021 17:30
ASNN – Mund Tërbunin me një 11-metërsh të saktë të Latifit, Brdariç kërkon finalizim më të mirë. Skuadrat shqiptare vazhdojnë përgatitjet për sezonin e ri dhe po masin forcat në ndeshje miqësore, duke synuar kolaudimin e grupit të lojtarëve. Njëra prej tyre është edhe Vllaznia, është rikthyer në stërvitje më 9 gusht, pas eliminimit në turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe pushimeve të verës.
Kuqeblutë vazhdojnë përgatitjet e saj për sezonin e ri me ndeshje miqësore të programuara për të parë gjendjen e skuadrës dhe lojtarëve që janë në provë në këto ditë, para se të vendoset nëse do të vazhdojnë aventurën e tyre me këtë skuadër apo jo. Skuadra shkodrane ka zhvilluar të martën në mbrëmje në Stadiumin “Loro Boriçi” miqësore e radhës, duke mposhtur me një gol të vetëm ekipin e Tërbunit.
Sikundër pritej, ekipi i trajnerit Tomas Brdariç, mbizotëroi në përballjen me pukjanët e drejtuar nga ish-kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri. Megjithatë, sulmuesit shkodranë vazhdojë të vuajnë para portës për të gjetur golin dhe për të vendosur fatin e ndeshjes u desh një 11-metërsh i kthye në gol nga Liridon Latifi. Vllaznia merr fitoren e radhës, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë të paktën edhe një ndeshje tjetër.
Kjo pasi Brdariç do të kërkojë të ndërtojë nëpërmjet këtyre sfidave ekipin i cili do të përballet me Teutën në Superkupën e Shqipërisë. “Në përgjithësi jam i kënaqur, – ka deklaruar gjermani i stolit të shkodranëve. – Të gjithë janë në gjendje të mirë, kanë punuar mirë, janë stërvitur shumë. Krijuam shumë raste, bëmë lëvizje. Por nuk shfrytëzuam momentet se kishim mundësi më shumë të shënonim”, – ka përfunduar Tomas Brdariç.