ASNN – Është zhvilluar analiza e humbjes me Laçin, shoqëruar me një paraqitje zhgënjyese të skuadrës, nuk ka masa. Por kushti është kthimi tek rezultatet pozitive në përballjen me “djemtë e detit”. Java e 8-të e Kategorisë Superiore e ballafaqon Vllazninë me Teutën e Durrësit në ndeshjen e së dielës, në ora 13:00 në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës. Është ndeshja e dytë radhazi e shkodranëve që do të luhet në fushën e vet, duke i shtuar këtu dhe përballjen me Laçin, ndërsa më parë kanë qenë tre ndeshje radhazi në fushë të huaj, me Korabin, Skënderbeun e Luftëtarin.
Një ndeshje e luajtur në Shkodër, sidomos ndaj Teutës, duhet të tërheqi normalisht interesimin e publikut, por që në fakt ndodh e kundërta. Të pakënaqur me paraqitjet e ndeshjeve të fundit, në mënyrë të veçantë me atë ndaj Laçit, që u humb në shtëpi 1-2, fansat kuqeblu kanë paralajmëruar bojkot ndaj skuadrës në këtë fundjavë. Një gjë e tillë është konstatuar që në momentet e fundndeshjes së kaluar, kur në vend që të përshëndesin skuadrën e tyre të zemrës Vllaznia, duartrokitjet shkuan për laçianët të cilët me meritë u larguan me tre pikë nga “Reshit Rusi”.
Reagimet ndaj gjendjes aspak të mirë që po kalon Vllaznia kanë vijuar të jenë të pranishme edhe gjatë dy ditëve të fundit, kur e marta dhe e mërkura kanë qenë të ngarkuara me komente dhe analiza nga më të ndryshmet, qoftë në komunitetin e qytetit verior, por pa lënë mënjanë këtu edhe rrjetet sociale që tashmë janë bërë pjesë aktive e atmosferës sportive. Ato janë nga më të ndryshmet, madje duke shkuar deri aty sa mllefin e krijuar nga humbja e pësuar në shtëpi me Laçin e shfryjnë duke i thënë futbollistëve se “nuk e meritoni atë fanellë të rëndë të Vllaznisë që mbani veshur”.
Ndërkohë, duke iu referuar ndeshjes së ardhshme me durrsakët, ato janë të mendimit që mos shkojnë fare në stadium për të ndjekur skuadrën e tyre, gjë të cilën ia delegojnë drejtuesve duke i kërkuar llogari për situatën që po kalon Vllaznia. Kjo është atmosfera, të paktën deri në mbrëmjen e së mërkurës, por se sa dhe si do të jetë ecuria e kësaj situate, nëse do ta ketë bojkot masiv, të pjesshëm, apo ndryshim të vendimit do të tregojnë ditët në vazhdim.
Kjo edhe për faktin se ka edhe prej atyre zërave të tifozërisë që kërkojnë të mos e bojkotojnë skuadrën, për të vijuar në mbështetje të kalimit të këtij shoku psikologjik që ka pushtuar kampin kuqeblu në mënyrë që sfida e së dielës ndaj durrsakëve të kalohet sa më me sukses.