AlbanianSport.com 09.04.2016 23:55
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së saj të 29-të, që nisën të dyja në ora 16:00. Në Fushën Sportive “Reshit Rusi”, Vllaznia është përballur me Teutën. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u fitua nga durrsakët me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje.
Musta i ka kaluar bregdetarët në epërsi në minutën e 17-të të ndeshjes, me një goditje të saktë brenda zonës dhe me këtë epërsi minimale të Teutës është mbyllur edhe pjesa e parë. Në pjesën e dytë, Teuta ka administuar epërsinë dhe, duke përfituar nga mbetja e Vllaznisë me 10 lojtarë, ka gjetur edhe një tjetër gol me autor Maganin. Përfundimisht, Teuta fiton 2-0.
Dhe Vllaznia mbetet në vendin e 6-të të renditjes, me 29 pikë dhe ende është në rrezik përsa i përket mbijetesës në Superiore, kur kanë mbetur edhe 7 javë deri në përfundim të sezonit. Ndërsa Teuta mban vendin e 4-t, me 48 pikë dhe është përfshirë në një betejë treshe me Kukësin dhe Tiranën, për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.
Në takimin tjetër të ditës, të luajtur Pukë, Tërbuni ka pritur Bylisin në duelin e fundtabelës së renditjes, që është fituar minimalisht nga ballshiotët. 3 ndeshjet e tjera luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 16:00, Kukësi pret në fushën e vet Skënderbeun, ndërsa duke nisur nga ora 19:00, Laçi viziton kryeqytetin, për t’u ndeshur në Stadiumin “Selman Stërmasi” me Tiranën, kurse Partizani është mysafir në Vlorë, për t’u përballur me Flamurtarin vendas.