ASNN – Ballafaqimi në fjalë, i luajtur mesditen e djeshme në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës, nën gjykimin e një treshe arbitrash shkodranë me kryesorë Nikolin Sterkaj, ka nisur praktikisht me gol. Pa kaluar 60-të sekondat e para të ndeshjes, Çinari ka shënuar me një gjuajtje mjeshtërore në një pozicion diagonal me portën e Kurtulës.
Edhe pse u ndëshkuan që në nisje të takimit, futbollistët e rinj të Akademisë, të drejtuar nga ish-futbollisti kuqeblu, Elvin Beqiri, janë përpjekur të rivalizojnë skuadrën e Cungut. Për to nuk kishte rëndësi rezultati, por evidentimi i vlerave të tyre përpara trajnerit Cungu.
Gjithnjë me shpresën se në një të ardhme të shpejtë edhe ato të bëhen pjesë e skuadrës së parë, ashtu si dhe kolegët e tyre të mëparshëm që sot janë titullarë në këtë skuadër. Vllaznia arrin të dyfishojë epërsinë në minutën e 25-të përmes golit të Denis Dycës, përmes një aksioni që vjen pikërisht pas fitimit të dyluftimit në mesfushë përballë vëllait të tij më të vogël, Ditmir Dycës.
Me këtë rezultat, 2-0 për kuqeblutë e Cungut, përfundon pjesa e parë. Në 45 minutat e dyta në përbërje të të dyja skuadrave vijnë edhe ndërrimet përkatëse. Me një gol të shënuar nga pika e 11-metërshit me autor Gocajn dhe një tjetër me kokë, përmes Adriano Qosjes, të ardhur për provë nga Italia, mbyllet e gjitha ndeshja duke fiksuar rezultatin e përgjithshëm 4-0 për Vllazninë
Vllaznia – Vllaznia e Nën-19-vjeçarëve 4-0
Shënues: Çinari 1′, De. Dyca 25′ , Gocaj 60′(11-m.), Qosaj 67′
Vllaznia: Vjerdha, Gocaj, Krymi, Kapaklia, Bardulla, Kruja, De.Dyca, Çinari, Erkoçeviç, Dibra, Mehmetaj Trajner: A.Cungu U aktivizuan: Hajdari, Qosaj
Vllaznia Nën-19-vjeçarët: Kurtulaj, Rahova, Miloti, Hoxha, Hysenaj, Smajli, Di.Dyca, Brahimi, Marinaj, Palushani, Pusi Trajner: E. Beqir U aktivizuan: Ligata, Dalldezi, Stafa, Boriçi, Mehja, Leku
Gjyqtarë: N.Sterkaj, J.Podgorica, D.Grimci (Shkodër)