Vllaznia nuk do të kthehet pasditen e së hënës, siç është informuar dy ditë më parë, por një gjë e tillë do të ndodhë mbrëmjen e së mërkurës. Lajmi bëhet i ditur nga administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, i cili sqaron se qëndrimi në kampingun ulqinak do të zgjasë deri të mërkurën.
Atje do të zhvillohet edhe seanca e pasdites e më pas të mërkurën në mbrëmje skuadra do të jetë në Shkodër. Ditët në vazhdim, në përgatitjet e pragndeshjes së Kupës me Skënderbeun, do të vijojnë të zhvillohen në stadiumin “Reshit Rusi”, ku dhe do të luhet sfida në fjalë.
Përsa i përket ditës së premte bëhet e ditur se skuadra ka zhvilluar dy seanca stërvitore, një paradite dhe një pasdite. Me dy të tilla do të vijohet edhe ditën e sotme dhe të nesërme, ndërsa për të hënën në program nuk ka seancë paradite pasi pasdite do të zhvillohet miqësorja e dytë në tokën malazeze me Deçiçin, ndeshje e cila do të luhet në ora 14:30 në fushën sportive të kompleksit “Olimpik” në Ulqin.