ASNN – Skuadra është shfaqur në fushën stërvitore të “Reshit Rusit” në një stërvitje me dy grupe. Në njërin prej tyre kanë qenë futbollistët që janë aktivizuar të mërkurën në Laç, ngarkesa për të cilët ka qenë më e ulët se sa e grupit tjetër. Në program ato kanë pasur kryesisht vrapime përreth fushës. Ndërkohë që pjesa tjetër, që nuk ka luajtur, është stërvitur rregullisht dhe me ngarkesa të plota. Ashtu si edhe në analizën teknike të ndeshjes, ftohtësia e trajnerit Cungu me skuadrën ka vijuar të jetë edhe në minutat në vazhdim, gjë që është parë në pasivitetin e angazhimit të tij në këtë seance. Programin stërvitor të kësaj dite e kanë drejtuar kryesisht ndihmëstrajneri Aleksandër Maxhar dhe trajneri i portierëve Avenir Dani. Deri ditën e diel, atëherë kur Vllaznia do të luajë në “Niko Dovana” përballë Teutës në ora 14:00, kuqeblutë do të kenë edhe dy seanca stërvitore. Sot e nesër dhe më pas grumbullim në qytetin bregdetar duke shpresuar se Vllaznia do të bëjë kthesë në rezultate.