Albaniansport.net 24.01.2016 22:55
ASNN – Dhunë në stadiumin e Shkodrës, tifozët godasin me stol efektivin e policisë. Ndeshja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Skënderbeut nuk kaloi pa probleme. Një oficer i policisë është goditur nga tifozët në momentin që po përpiqej të ndalte një përleshje mes tyre.
Përgjegjësit e këtij incidenti u shoqëruan në Komisariatin e Shkodrës. Ndërsa nga tribuna, zbresim në fushë ku braziliani Ademir u përplas me Antonio Markun. Të dy futbollistët u dërguan në spital për t’u mjekuar dhe, për fatin e tyre të mirë, nuk patën pasoja të rënda.
Kjo sfidë e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë përfundoi pa gola edhe pse ekipet patën raste shënimi. Në takimin tjetër të ditës, Tirana mundi Flamurtarin me rezultatin 1-0. Një fitore e rëndësishme kjo për bardheblutë, pasi u arrit në fushë kundërshtare.
Goli u realizua nga Argjend Malaj në minutat e fundit. Të shtunën, Laçi mundi në fushën e vet Partizanin me rezultatin 2-0, ndërsa Teuta fitoi 1-0 po në fushën e vet ndaj Kukësit. Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen në më 17 shkurt 2016.