Kapiteni i kuqebluve, Ndriçim Shtubina, i cili personalisht po kalon një formë shumë të mirë sportive, nuk mohon se Laçi gjatë viteve të fundit ka qenë një nga skuadrat e vlerësuara të kampionatit shqiptar, gjë e cila është shpërblyer edhe me fitimin e trofeve të Kupës së Shqipërisë. Por, sipas tij, ky është një moment tjetër ballafaqimi, atje ku shanset janë që të jenë në favor të Vllaznisë.
“Me Laçin normal që është ndeshje e vështirë, por përderisa kjo skuadër po humb një pas një ndeshjet e saj pse të mos të fitojmë edhe ne në Laç”, shprehet Shtubina, në një prononcim për mediet e qytetit të Shkodrës. Një prononcim që shpreh qartë që kuqeblutë udhëtojnë me objektiv fitoren në vizitën laçiane, por që, në të vërtetë, edhe me një barazim të mundshëm, çdo gjë do të ishte mirë në raport me pozicionin në renditje.
Sepse kështu jo vetëm që do të vazhdonin ta mbanin Laçin poshtë vetes, por edhe për llogaritë e mbijetesës, në raport me dy skuadrat e tjera si Bylis dhe Flamurtari, që tentojnë ta kapin në pikëzim, do të ishin më mirë. Ndër të tjera, futbollisti që për nevoja të skuadrës gjatë këtij sezoni ka provuar të luaje në shumë role, si mesfushor krahu, që në fakt është zona e tij kryesore ku edhe është afirmuar, pastaj në sulm, por edhe jo pak herë në mbrojtje, duket se kohët e fundit po e tërheq më tepër reparti ofensiv.
”Rolin e sulmuesit mendoj se e bëj më mirë. Nuk them se jam në formën më të mirë, por e shikoj veten më të pjekur në këtë pozicion”, – thotë kapiteni shkodran, që në disa ndeshje golat e tij kanë qenë përcaktuese për skuadrën, siç ishte edhe ajo e së hënës ndaj Flamurtarit, ku Vllaznia fitoi 2-1. Goli ndaj vlonjatëve ishte i 5-ti në këtë kampionat, por për Shtubinën kjo shifër ka gjasa të rritet edhe më tepër deri në mbyllje të kampionatit.
“I gjashti besoj se do të vijë në përballjen e kësaj jave në vizitën e Laçit”, – shprehet Shtubina, duke shtuar se nuk është vetëm një dëshirë, por edhe objektiv personal i tij. Madje do të shtohej kënaqësia e tij nëse do të ishte goli i fitores në Laç.