Barazimi në Kupën e Shqipërisë në raundin çerekfinale, si dhe fitorja në kampionat ndaj kampionëve të Skënderbeut, kjo në dy ballafaqimet e para të vitit 2016, e ka bërë Vllazninë që të ketë një ecuri më shumë se pozitive. Një nisje kjo me të vërtetë tejet mbresëlënëse, që me të drejtë mori edhe vëmendjen e publikut, që akoma vazhdon të jetë në delir nga ajo dhuratë që futbollistët kuqeblu bënë për to të dielen e kaluar.
Por që nga ana tjetër, për trajnerin e kuqebluve Armando Cungu, suksesi ndaj korçarëve është lënë pas dhe i gjithë përqendrimi tashmë është për ndeshjen e fundjavës, atë që do të luhet të dielën e orës 16:00 në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Që prej së martës, skuadra kuqeblu vijon të stërvitet në tapetin e Fushës Sportive “Reshit Rusit”.
Aty, krahas një interesimi të madh dhe të vazhdueshëm të tifozërisë shkodrane ka dhe një angazhim maksimal të drejtuesve. Sepse gjatë gjithëve ditëve stërvitore shihen të jenë të pranishëm edhe dy drejtuesit kryesorë të klubit të futbollit Vllaznia, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Armir Grima. E veçanta e seancave të kësaj jave është se me skuadrën janë bashkuar edhe 3 futbollistët e kontingjentit të skuadrës kombëtare të Nën-21-vjeçarëve.
Është fjala për portierin e Shpresave, Sherri, mbrojtësin e djathtë Gurishta, si dhe mbrojtësi-mesfushor i linjës së majtë Hakaj. Ky i fundit gjatë merkatos dimërore u lakua për një kalim tek skuadra e kuqe. Por lëvizja nuk u konkretizua, sepse klubet nuk e gjetën dot akordin mes tyre.