AlbanianSport.com 05/02/2019 13:25
ASNN – Kuqeblutë, të gatshëm për të dhënë maksimumin për të kaluar Kamzën. Vllaznia ka shansin të kualifikohet në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Fitorja e parë 2-1 në Shkodër me Kamzën, ka shënuar një hap përpara drejt kualifikimit. Por, ajo që vendos përfundimisht është përballja e dytë, ajo që luhet të mërkurën në Stadiumin e Kamzës. Në pritje të kësaj sfide shumë të rëndësishme, Vllaznia ka zhvilluar dy seanca stërvitore, të hënën dhe të martën.
Këto trajneri Hasan Lika është përpjekur t’i shfrytëzojë në maksimum për ta pasur skuadrën sa më të harmonizuar në fushën e lojës. Pozitive për Liken është fakti se përpos mesfushorit Florind Bardulla, që për arsye dëmtimi, vijon të jetë larg skuadrës, e gjithë pjesa tjetër e ekipit ka qenë në dispozicion të tij. Me grupin është bashkuar edhe rumuni Dan Ignat, i cili për një periudhë mbi një mujore ka munguar në stërvitje sepse donte të largohej.
Por së fundmi ka vendosur të zbatojë kontratën për të përfunduar sezonin me skuadrën kuqeblu. Por nisur edhe nga luhatjet në parametrat fizik gjatë kësaj periudhe mund ta penalizojnë për të qenë i preferuari i Likës për sfidën e së mërkurës për Kupë. Në të tilla kushte, me të gjitha gjasat formacioni anti-Kamza pritet të jetë ai i ndeshjes së parë të luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” ku shkodranët, falë golave të shënuar nga Marku dhe Zhunior triumfuan me rezultatin 2-1.
Edhe pse janë të përqendruar tërësisht në kampionat për një rikthim të menjëhershëm në Kategorinë Superiore, kuqeblutë kanë deklaruar se synojnë të shkojnë sa më larg edhe në kupën e Shqipërisë. Nisur edhe nga përplasjet që këto dy skuadra kanë patur sezonin e kaluar në luftën për mbijetesë në Superiore, sfida e së mërkurës në Kupën e Shqipërisë shikohet si një tip hakmarrje nga ana e skuadrës kuqeblu, dhe një kualifikim në turin tjetër, duket se përmbushë edhe dëshirat e tifozerisë shkodrane.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, kuqeblutë janë shumë të karikuar për të dhënë më të mirën në fushën e lojës.