Adriatik Balla 19.09.2015 13:05
Vllaznia nuk rresht së akuzuari Federatën Shqiptare të Futbollit për përfshirje në forma të ndryshme në rezultatin e ndeshjeve dhe dirigjimin e kampionatit. Janë zyrtarët e klubit shkodran, por edhe pjesëtarë të stafit teknik që indirekt fajësojnë FSHF-në për gjendjen e rëndë që po kalon skuadra e tyre, duke shtuar se nëpërmjet gjyqtarëve federata po tenton të ulë Vllazninë një kategori më poshtë.
Pas deklaratave zyrtare të klubit ditë më parë pas ndeshjes me Partizanin, ku pati mjaft polemika, së fundmi ishte radha e trajnerit Zmijani të tregonte se federata nëpërmjet “xhaketave të zeza” po tenton të ulë Vllazninë në nivelet më të dobëta e pse jo ta zbresë atë nga kategoria. E vërteta është se Vllaznia ka regjistruar vetëm humbje në këto ndeshje të para të kampionatit .
Ajo ndodhet në vend të fundit të tabelës, duke qenë e ekspozuar për një rënie të mundshme këtë sezon nga Superiorja. Madje Vllaznia nuk fiton që prej muajit prill, duke dëshmuar se nuk ka një skuadër cilësore për të përballuar kampionatin. Akuzat pjesërisht qëndrojnë, por shkodranët duhet të bëjnë më shumë për objektivat e tyre këtë sezon, të paktën për mbijetesën në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.