AlbanianSport.com 08/01/2021 19:55
ASNN – Të premten, Vllaznia ka realizuar një tjetër kryevepër, teksa ka mundur Teutën me 10 lojtarë, edhe pas daljes me të kuq të Ardit Hoxhajt në minutën e 65-të. Shkodranët i shkaktuan kështu humbjen e parë Teutës për këtë sezon. Ka qenë një mbizotërim absolut i skuadrës shkodrane, që ndonëse terreni ishte i vështirë për shkak të shiut të dendur, është imponuar frikshëm ndaj durrsakëve. Golin vendimtar e shënoi pikërisht Ardit Hoxhaj, i cili në minutën e 59-të arriti të çajë mbrojtjen e Teutës dhe ta dërgojë topin në rrjetë.
Por vetëm 6 minuta më vonë, ishte ai që shkaktoi një ndërhyrje të rëndë me taka të ngritura ndaj Pjeshkës dhe gjyqtari nuk e fali. Vllaznia kryeson kampionatin me 29 pikë duke mundur ndjekësen e saj më të afërt, Teutën, dhe duke e kaluar tërësisht presionin te Partizani, Kukësi dhe Tirana që luajnë të shtunën. Vllaznia triumfon kështu kundër Teutës, që në 13 javë nuk kishte pësuar asnjë humbje. Tre pikë të arta për shkodranët, që e çojnë në 9 pikë diferencën me skuadrën e Edit Martinit falë një goli të Ardit Hoxhajt.
Një fitore e merituar e kuqebluve, që dominuan dhe ishin më lart edhe me një lojtar më pak, pasi vlonjati goleador u ndëshkua me karton të kuq. Një sfidë spektakolare, që do kishte qenë edhe më e bukur të ishte luajtur me tifozë. Shkodranët e mbizotëruan pjesën e parë, duke e mbajtur ekipin durrsak në gjysmëfushën e vet dhe rrezikuan disa herë të shënonin. Ardit Hoxhaj dha sinjalin e parë, por Frashëri reagoi, sikurse ndodhi më pas edhe me një gjuajtje të Adilit nga distanca. Madje Teuta shpëtohet nga shtylla në 45 minutat e para, pas një gjuajtje të Dilaverit brenda zone.
0-0 dhe ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes, madje me protesta nga vendasit për faktin se u pretendua se u mbyll pjesa e parë para kohe. Një Teutë disi më ndryshe në minutat e parë të fraksionit të dytë, por ishte Vllaznia ajo që ia doli të shënonte pas një aksioni perfekt që u konkretizua me gol nga sulmuesi Ardit Hoxhaj, i cili shkon në kuotën e 7 gola në krye të listës së golashënuesve. Vlonjati ishte sërish protagonist pak minuta më pas, por me një ndërhyrje që u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Vllazninë me një lojtar më pak.
Hebaj, Gruda, Kapllani dhe Avdyli ishin lëvizjet e Martinit nga stoli, për t’i dhënë skuadrës së tij diçka më shumë në sulm. Asgjë e re, pasi Vllaznia edhe me një lojtar më pak ishte më e qartë në fushë dhe durrsakët nuk i vunë në vështirësi. Në këtë mënyrë edhe rezultati nuk mund të ndryshonte dhe Vllaznia pas vërshëllimës treshe të gjyqtarit Cjapi nisi festën për fitoren.