AlbanianSport.com 12.01.2016 13:05
ASNN – Kthehet qetësia te Vllaznia dhe, pas garancisë për financat, skuadra shkodrane niset drejt Ulqinit. Ulja në stol e Armando Cungut dhe garancitë financiare të dhëna nga Bashkia kanë kthyer qetësinë te Vllaznia. Skuadra shkodrane u nis të drejt Ulqinit, për një fazë përgatitore 10 ditore.
Pasi morën garanci për financat, futbollistëve të Vllaznisë iu është kthyer edhe qetësia. Por jo vetëm kaq. Nëse pak ditë më parë skuadra kishte bojkotuar stërvitjen, paraditen e së henës, ajo u nis drejt Ulqinit për fazën përgatitore në prag të rinisjes së Kategorisë Superiore.
Kjo ishte një nga kërkesat e trajnerit të ri Armando Cungu, i cili gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të ketë mundësi të stërvisë skuadrën e tij të re në kushte optimale. Po ashtu, ndeshjet miqësore në program do t’i shërbejnë trajnerit për të parë formën e futbollistëve, por edhe mundësinë për forcimin e ekipit të merkato.
Pas fazës përgatitore, Cungu shpreson të ketë në dispozicion një skuadër shumë më konkurruese, në mënyrë që të bëjë kthesën pas një sezoni deri tani zhgënjyes. Vllaznia i mbylli dy fazat e para të Kategorisë Superiore në vendin e tetë dhe objektivi mbetet qëndrimi në kampionatin elitar të futbollit shqiptar.