ASNN – Ndërkohë që zhvillohej pjesa e parë mes kuqebluve të Cungut dhe Akademisë Vllaznia së Nën-19-vjeçarëve, tërhiqte vëmendjen që në pisten e “Reshit Rusit” ishin në nxehje e sipër dy futbollistë. Njëri prej tyre, ish-futbollisti i Vllaznisë, Arsen Hajdari, nuk ishte i panjohur për publikun shkodran. Ndërkohë që për tjetrin informacionet e para ishin se vinte nga Italia. Që të dy trajneri Cungu i ka hedhur në fushën e lojës me fillimin e pjesës së dytë.
Hajdari ka hyrë në vend të Bardullës dhe Adriano Qosajn në vend të sulmuesit Dibra. Të dy dhanë shkëndija pozitive, Hajdari duke kërcënuar portën kundërshtare me disa inkursione nga e majta shoqëruar edhe me gjuajtje të fuqishme, ndërsa Qosaj, përpos disa lëvizjeve me intuitë brenda zonës së rreptësisë, arriti ta zgjidhë në mënyrën më të mirë një kros të ardhur në drejtim të tij duke e dërguar me kokë në rrjetë.
Në takimim që patem menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Adriano Qosaj, me një gjatësi prej 1.81 m, që me 2 janar të vitit të ardhshëm mbush 19 vjeç, mësuam se ka 11 vite që aktivizohet në futbollin italian ku së fundmi është pjesë e SK Goxano-Rexhione Piomonre në Serinë D. Pozicioni i tij është një sulmues i mirëfilltë dhe gjatë karrierës së tij sportive ka spikatur në shënimin e golave të shumtë për skuadrën e tij.
Dy futbollistët në fjalë, si Hajdari që rikthehet tek kuqeblutë pas një shkëputje rreth dy vjeçare si dhe shkodrani i ardhur nga Italia, Adriano Qosaj, do të paraqiten pranë kuqebluve edhe në seancat e para të vitit të ardhshëm.