Që Erind Selimaj do të ishte portier titullar edhe në ndeshjen e radhës shenjat për një gjë të tillë u dhanë që në startin e pjesës së dytë të sfidës së luajtur në Laç pasditen e së shtunës. Sepse pas formës së lëkundur, malazezi Dragojeviç është ulur në stol. Pasi ka luajtur për pjesën më të madhe të fraksionit të dytë të lojës në Laç, Selimaj është parë që vendin e titullarit do ta ketë edhe për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet në fundjavë përballë Kukësit nënkampion në fushë të huaj.
Një gjë të tillë Cungu e ka shpalosur gjatë minutave stërvitore të së hënës, fillimisht kur ka punuar veçmas me përballjen e organizuar në gjysmën e fushës, mbrojtja kundër mesfushës dhe sulmit. Dhe më pas e njëjta gjë është parë të eksperimentohet edhe gjatë lojës mes dy formacioneve që Cungu si zakonisht zhvillon në pjesën mbyllëse të krejt seancës. Paralajmërimi për një zëvendësim të tillë u dha që në deklaratat që Cungu dha pas ndeshjes së zhvilluar të shtunën e kaluar në Laç.
“Që prej ardhjes së time në drejtimin e skuadrës Dragojeviç ka gabuar në shumë ndeshje dhe i ka humb shumë pikë skuadrës”, – është shprehur tekniku shkodran në këtë interviste, duke shtuar: “Megjithatë ka qenë edhe një ndërrim për t’i bërë të kuptojë specialistëve të studiove televizive të Shkodrës se duhet vendosur dhe kështu. Pasi ka shumë presion nga ana e tyre, ka shumë njerëz që komentojnë duke u ndalur vazhdimisht tek portieri duke pretenduar se e njohin më mirë futbollin kur nuk vijnë as edhe një ditë për të ndjekur stërvitjet e ekipit.”
“Ndërkohë që ne e kemi gjendjen shumë të njohur, – ka vijuar ai. – Portierët e Vllaznisë këto janë, Dragojeviç ka gabuar por nuk kanë qenë në gjendje edhe portierët e tjerë për ta mbushur këtë mision, pasi Selimaj dihet që prej një viti është i dëmtuar dhe është ndeshja e parë pothuajse që aktivizohet, ndërkohë që edhe Sherri, një djalë i ri 17 vjeçar, nuk garanton akoma.”