Trajneri shkodran, Armando Cungu, ka përgëzuar skuadrën për karakterin e treguar në sfidën ndaj Tiranës dhe “ka karikuar” grupin e kuqebluve për ndeshjen e fundjavës në Ballsh. Si zakonisht përpara fillimit të seancës së parë stërvitore të javës, stafi teknik organizon analizën e ndeshjes paraardhëse.
Kështu që dje në fokus ka qenë analiza e ndeshjes të së dielës, atje ku Vllaznia mundi Tiranë me rezultatin 3-1. Ashtu siç kanë komentuar edhe specialistët dhe analistët e futbollit në këtë ndeshje është parë një Vllazni shumë shumë cilësore, e cila arriti ta mundë Tiranën, jo vetëm me rezultat 3-1, por edhe me lojë.
E në të njëjtën linjë mësohet të ketë qenë edhe trajneri Cungu gjatë analizës së zhvilluar me skuadrën. Nga sa bëhet e ditur, trajneri shkodran ka mbetur i kënaqur nga loja e të tijve në këtë ndeshje, gjë që ia ka shprehur edhe futbollistëve gjatë bashkëbisedimit me ta.
Ndër të tjera ai ka vlerësuar grintën dhe mobilizimin që futbollistët shfaqën në fushën e lojës dhe në mënyrë të veçantë karakterin e duhur, gjë që duke zbatuar me përpikëri edhe detyrat taktike bëri të mundur kthimin e rezultatit.