ASNN – Beratasi Polizoi Arbri, që ashtu si edhe kolegu i tij, Jetmir Sefa, por edhe pjesëtarë të tjerë të formacionit kuqeblu, ishin të pranishëm me bashkëshortet e tyre, pasi është ndjerë shumë i emocionuar dhe i frymëzuar për këtë mbrëmje shumë interesante, siç e quajti ai, nuk e fshehu dëshirën që të vijojë ta shijojë edhe në vazhdim këtë qytet duke mbajtur të veshur fanellën e Vllaznisë.
“Dëshira është e madhe për të qëndruar, por nuk varet nga unë, janë rrethanë të tjera që do të diskutohen, – ka thënë ai. – E rëndësishme është që të kalojmë këtë situatë të vështirë që jemi, pastaj gjërat e tjera ia lëmë kohës. E vetmja gjë që më vjen keq në këto momente, është që nuk iu gjenda pranë ekipit, shokëve, drejtuesve në momentet që u duheshin, pavarësisht së ata edhe forcat e tyre dhe po i kalojnë me sukses.”
I pyetur për ndeshjen e së shtunës, Arbri tha se “vërtet na pret një ndeshje e vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për ekipin e Durrësit, kur edhe ai pretendon tre pikëshin. Sidoqoftë, shpresoj ta kaloj mbarë këtë përballje të rëndësishme për skuadrën tonë.” Ndërsa, në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore ai bëri të ditur se është në pritje të kryerjes së operacionit të planifikuar nga ana e stafit mjekësor kuqeblu.