AlbanianSport.com 12/11/2018 18:40
ASNN – Ka ardhur më në fund, në javën e 9-të dhe të fundit të fazës së parë edhe humbja për Vllazninë, e cila është dorëzuar në Fushë-Krujë përballë një goli të vetëm të Ilirisë vendase. Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Redi Maloku” të fushë-Krujës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka qenë kryesisht i barazpeshuar në pjesën e parë.
Përkundër pritshmërive, ka qenë skuadra vendase që ka bërë një vëllim më të madh loje që e ka hedhur më tepër vështrimin drejt portës kundërshtare. Rasti më i spikatur i 45 minutave të para do të jetë ai i minutës së 27-të, kur pas një aksioni të gjatë të vendasve, vjen një goditje nga lart, por portieri shkodran, Alen Sherri tregohet i kujdesshëm dhe e grushton topin jashtë kuadratit, për një goditje këndi.
Me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të nisë më mirë për shkodranët, të cilët e zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare në kërkim të zhbllokimit të rezultatit. Por, përkundër rrjedhës së lojës, do të jenë vendasit që do ta zhbllokojnë rezultatin falë një kundërsulmi të shpejtë, që finalizohet me sukses nga Zuni në minutën e 58-të.
Goli i pësuar e ka shkundur Vllazninë, e cila reagon menjëherë dhe është braziliani Zhunjor që e vë në provë portierin vendas, që sidoqoftë reagon mirë për të shmangur rrezikun. Pak minuta më vonë, kapiteni shkodran, Gilman Lika, depërton dhe rrëzohet në zonë në duel me mbrojtësin fushë-krujas, por për gjyqtarin e takimit, gjithçka është e rregullt dhe loja vazhdon.
Gjysmëora e mbetur e lojës do të karakterizohet nga këmbëngulja e Vllaznisë, e cila sidoqoftë është e paqartë në mënyrën e saj për të gjetur golin dhe e mjegullt në finalizim. Nga ana tjetër, Iliria mbrohet me fanatizëm dhe mundohet të godasë me kundërsulm. Mbyllet kështu me fitoren minimale të Ilirisë kjo përballje me Vllazninë, që sidoqoftë mbetet e shkëputur në krye të renditjes.
Kjo ishte edhe ndeshja e fundit e javës së 9-të të grupit A, që dhuroi në takimet e tjera rezultatet Shënkolli-Veleçiku i Koplikut 3-0, Vora-Erzeni 1-3, Korabi-Besëlidhja 2-1 dhe Burreli-Dinamo 0-1. Ndërkaq, në Grupin B u arritën rezultatet Turbina e Cërrikut-Besa 0-2, Bylis-Oriku 2-2, Lushnja-Pogradeci 1-0 dhe Apolonia-Egnatia 0-1. Takimi i fundit i këtij grupi, i luajtur të hënën, Elbasani-Tomori u fitua nga beratasit me rezultatin 2-0.