AlbanianSport.com 21/01/2019 19:55
ASNN – Vllaznia do të presë të mërkurën Kamzën, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ndërsa më pas, në fundjavë ka një tjetër sfidë të vështirë, këtë radhë në kampionat. Shkodranët luajnë në fushë kundërshtare me Erzenin, me rivalin kryesor të grupit A të Kategorisë së Parë.
Përgatitjet dimërore për Vllazninë nuk kanë shkuar fort mirë, kjo edhe për shkak të kushteve atmosferike, duke e detyruar skuadrën të stërvitet në fusha të mbyllura. Por tashmë falë një përmirësimi të motit, që prej së dielës, kuqeblutë e drejtuar nga Hasan Lika po stërviten normalisht në fushën me bar sintetik të Fushës Sportive “Reshit Rusi”.
Sa i përket merkatos, me përjashtim të ardhjes nga Teuta të Arsid Krujës në skuadër nuk ka asnjë lëvizje tjetër. Nga drejtuesit e klubit është thënë se do të ketë përforcime, kryesisht në mesfushë dhe sulm, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Ish-portieri i kuqebluve, Paulin Ndoja, analizon situatën tek Vllaznia.
Duke bërë apel për biznesin shkodran të mbështesë klubin, në atë që ai e cilëson si një periudhë të vështirë për futbollin e qytetit verior, Ndoja është i mendimit që Vllaznia duhet të përqendrohet kryesisht në kampionat për të garantuar rikthimin e skuadrës në Superiore.
Emri i Paulin Ndojës lidhet me fitimin e shumë trofeve tek Vllaznia, jo vetëm si portier në fushën e lojës, por edhe gjatë kohës që ka qenë pjesëtar i stafit teknik, në detyrën e trajnerit të portierëve, detyrë të cilën, edhe pse në një moshë të thyer, vazhdon ta ushtrojë tashmë në përgatitjen e portierëve të Akademisë “Vllaznia”.