Ndonëse ka edhe dy ditë në dispozicion, e enjte dhe e premte, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu ka nisur që dje të bëjë testimet e para se si ai mund ta rreshtojë skuadrën për ndeshjen e së shtunës përballë Laçit.
Pasi ka konsumuar fazat e tjera stërvitore, të përfshira në programin ditor, përreth 30 minuta, kreu i stolit kuqeblu, ia ka kushtuar një loje mes dy formacioneve, ku si zakonisht në të tilla raste është projektimi i 11-shit të parë për ndeshjen e radhës.
Me futbollistët që ka pasur në dispozicion, krahas portierit Dragojeviç që deri më tani nuk është i rrezikuar nga rivalët e tij për postin e titullarit, për t’u parë ka qenë zgjedhja e Cungut për vendin e lënë bosh nga Vrapi në qendër të mbrojtjes.
Aty ku pas rikthimit të malazezit Stefan Cicmil, nga pezullimi me tre kartonë të verdhë, këtë radhë në krah të tij ai ka preferuar të provojë Denis Pjeshkën, duke lënë me të dytën shqiptaro-amerikanin Ronildo Rudoviç.
Në të majtë është vendosur Ersin Hakaj dhe në të djathtë beratasi Arbri. Në mesfushë rikthehet si titullar Sefa, që prej dy javësh ka kaluar një gjendje të rëndë gripale, duke pasur përkrah Tafilin, Bardullën dhe Shtubinën. Dhe në vijën e parë sulmuese dyshen Çinari-Kalaja.