Vrapi, i skualifikuar me kartonë të verdhë dhe tre të tjerë në infermieri, megjithatë stafi teknik i kuqebluve po bën më të mirën për të nxjerrë në fushë një skuadër fituese të shtunën. Vllaznisë nuk po i ndahen problemet. Pikërisht atëherë kur i duhet të jetë më e fortë se kurrë për të marrë pikët e duhura të mbijetesës në sfidën e fundjavës ndaj Laçit, ndeshje e cila do të luhet në ora 14:00 të shtunën në stadiumin “Reshit Rusi”, në radhët e saj ka probleme në lidhje me mungesa titullarësh.
Ajo që konsiderohet si mungesë kryesore është e qendërmbrojtësit Endri Vrapi, ai i cili në merkaton dimërore u thirr si përforcimi kryesor për këtë repart. Një zgjedhje për të cilën drejtuesit kuqeblu nuk janë penduar aspak, sepse për hir të së vërtetës duhet pranuar se ka rezultuar mjaft efikas, ndërsa përvoja e tij ka bërë që jo pak herë në repartin difensiv të ketë siguri optimale. Kartoni i verdhë i marrë në Vlorë, të dielën e kaluar, ishte i treti për Vrapin duke e lënë jashtë për ndeshjen e radhës.
Një ndeshje në të cilën, për vetë nga rëndësia dhe pesha që ka rezultati i saj, Vrapit i duhej patjetër të ishte në mbështetje të kolegëve të repartit të mbrojtjes dhe të gjithë skuadrës në kërkim të marrjes së një fitoreje. Që përpos tre pikëve aq shumë të domosdoshme, jo pak e rëndësishme është edhe morali që i duhet të marrë skuadrës për ndeshjet në vazhdim. Por, përpos Vrapit, trajnerit Cungu do t’i duhet të mendojë edhe për mungesat e tre të tjerëve po aq të rëndësishëm për skuadrën.
Marku, Krymi dhe Dibra, që të tre këto futbollistë, prej dy ditësh vazhdojnë të jenë në infermieri. Nëse Vrapi, edhe pse nuk është në planet e aktivizimit duke vuajtur skualifikimin e kartonëve të verdhë, ka vijuar të stërvitet me grupin, treshja Marku-Krymi-Dibra është parë të kryejë disa vrapime të lehta përreth fushës stërvitore dhe më pas të largohet për në dhomat e zhveshjes. Për të parin, Markun, dëmtimi ka qenë i dukshëm në sfidën e javës së kaluar me Flamurtarin, ku pas një goditjeje në brinjë është detyruar të lërë përpara kohe fushën e lojës.
Ndërkohë që për Krymin e mesfushës bëhet e ditur se ai prej disa ditësh ka shqetësime serioze në lidhje me muskujt e barkut. Për të vijuar më pas edhe me sulmuesin Dibra, që dy ditë më parë, gjatë një dyluftimi me mbrojtësin Pjeshka, në stërvitje e sipër ka lënduar gishtin e madh të këmbës së djathtë, gjë që e ka penguar të vijojë procesin stërvitor. Treshja në fjalë është vënë në dispozicion të fizioterapistit Ilirjan Haxhaja, ku pritet të japë efektin e duhur të paktën për ndonjërin prej tyre që t’i vihet në dispozicion trajnerit Cungu për ndeshjen e radhës.