AlbanianSport.com 12.10.2014 11:05
ASNN – Vllaznia e ka humbur dhe miqësoren e dytë, të cilën e ka luajtur dje në Shkodër, teksa dje ka pasur përballë Tërbunin. 1-2 ka qenë rezultati përfundimtar i ndeshjes, ndërsa paraqitja e kuqebluve ka qenë përsëri zhgënjyese, aq sa është kontestuar nga tifozët shkodranë të pranishëm në këtë miqësore. Ndonëse kuqeblutë kanë luajtur me formacionin e tyre më të mirë, ata përsëri nuk kanë bindur. Në pjesën e parë do të ishte Agastra, ai që do kalonte në epërsi pukjanët në minutën e 15-të.
Gjatë kësaj pjese nuk do kishte gol tjetër. Në të dytën, do ishte Soza ai që do barazonte shifrat në minutën e 78-të. Megjithatë kjo nuk do zgjaste shumë, sepse Rroça për Tërbunin do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fitores për të. Përfundimisht 2-1 për pukjanët, ndërkohë që në radhët e tifozëve shkodranë, të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, ka pasur pakënaqësi për lojën e zhvilluar nga skuadra e Vllaznisë.
Nuk kanë munguar prej tyre edhe kontestimet për stafin drejtues dhe futbollistët. Në konferencën e shtypit të pas ndeshjes, trajneri Raineri ka thënë se në ndeshjen zyrtare ndaj Partizanit do të shihet në fushë një tjetër skuadër. Kurse trajneri i Tërbunit, shkodrani Elvis Plori është shfaqur i kënaqur për paraqitjen e skuadrës së tij. Përfundimisht një ndeshje që nuk i ka vlejtur për asgjë Vllaznisë, e cila vazhdon të tregojë një moment jo të mirë si në ndeshjet zyrtare ashtu edhe ato miqësore.
Vllaznia – Tërbuni 1-2
Shënues: Soza 78’/ Agastra 15′, Rroca 81′
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Sykaj, Beqiri, Baci, Shtubina, Tafili, Shala, Dema, Kruja, Soza. U aktivizuan: Mehmedoviç, Kalaja, Hajdari, Mujkoviç. Trajner: B. Raineri.
Tërbuni: Gjokoviç, Danaj, Lila, Kepi, Mone, Çutra, Lekaj, Rroca, Greca, Mziu, Agastra. U aktivizuan: Kaludjeroviç, Dodaj, Marku. Trajner: E. Plori
Gjyqtarë: I. Myrtja, D. Salaj, S. Ahmeti (Shkodër)