Adriatik Balla 21.06.2015 14:55
Mesfushori i talentuar, Ndriçim Shtubina, do të jetë edhe për sezonin e ardhshëm pjesë e skuadrës së Vllaznisë. Kapiteni ka rinovuar për një vit, duke garantuar në këtë mënyrë qëndrimin në formacionin kuqeblu. Zgjatja e kontratës së tij është padyshim një sinjal shprese për klubin shkodran ku të gjithë i druhen eksodit të lojtarëve, kjo dhe si pasojë e zgjedhjeve vendore që kanë vonuar tratativat duke kujtuar këtu se Vllaznia është klubi i vetëm i Kategorisë Superiore që ka mbetur nën administrimin bashkiak.
Largimet e zyrtarizuara të dy futbollistëve, Alsid Tafili, i cili u prezantua të enjten te Partizani dhe Bekim Dema, i cili i është bashkuar Skënderbeut, kishin krijuar frikë te tifozët për largimin e lojtarëve kryesorë dhe një Vllaznia larg ambicieve konkurruese për sezonin e ardhshëm, por zgjatja e kontratës së Shtubinës është një mesazh optimizmi. Mesfushori 28-vjeçar, ka vendosur t’i premtojë besnikëri skuadrës se qytetit të tij duke demonstruar lidhjen e fortë me fanellën kuqeblu pa u joshur nga tundimet e merkatos.
Shtubina është shprehur se i përgjigjet në këtë mënyrë besimit të klubit, i cili i ka dorëzuar edhe shiritin e kapitenit çka përbën një motiv lumturie për të dhe për këtë arsye ka preferuar që të mos e ndërrojë shiritin e kapitenit me ca miliona më shumë që mund t’i kishte fituar duke pranuar ndonjë ofertë të skuadrave të tjera. Një shembull ky gjithmonë e më i rrallë për t’u gjetur në futbollin e kohëve moderne.