AlbanianSport.com 14/01/2019 15:40
ASNN – Vllaznia luan në kategorinë inferiore këtë sezon, por kjo nuk e pengon atë të sillet e menaxhohet si klub elite, madje dhe blerjet në treg i bën si klub i elitës. Prej ditësh shkodranët reklamojnë idetë e tyre për të bërë një merkato për sezonin e ardhshëm, duke qenë të predispozuar të marrin lojtarë cilësorë që i nevojiten skuadrës për vazhdimësinë, kur të kthehen sërish mes më të mirave të futbollit në vend.
Së fundmi klubi kuqeblu ka afruar në skuadër një lojtar me emër të spikatur si Arsid Kruja. E kishte Teuta, por ai preferoi të kthehej në Shkodër, për të dhënë kontributin e tij për ekipin dhe me këtë afrim Vllaznia përmbush pritshmëritë e saj, si klub që edhe pse luan në kategorinë inferiore, blerjet dhe reklamimin i ka për nivelin e elitës. Sepse Vllazia, pavarësisht vështirësive që solli viti 2018, është klub elitar në Shqipëri.
“Vllaznia bën të ditur se që prej ditës së sotme zyrtarisht pjesë e saj është edhe futbollisti shkodran, Arsid Kruja, – shkruan klubi shkodran në një njoftim për shtyp. Administratori i klubit, z. Suad Lici, ka arritur akordin me lojtarin në fjalë, i cili së fundmi për një vit ka qenë pjesë e Teutës, për ta rikthyer tek ekipi kuqeblu. Marrëveshja dypalëshe është arritur për një kontratë 18-mujore”
“Dhe gjithçka është mbyllur ashtu si duhet me hedhjen e firmës në të. Futbollisti Arsid Kruja nuk ka humbur kohë dhe menjëherë paraditen e sotme është vënë në dispozicion të trajnerit Lika për të zhvilluar seancën e parë stërvitore me ekipin”, – përfundon njoftimi i klubit të Vllaznisë.