ASNN – Ndërkohë që ka ofrime, në klubin kuqeblu figurojnë edhe largime. Një i tillë është mbrojtësi Ditmir Beci, futbollist ky i ardhur nga Akademia “Vllaznia”, i cili, që në nisjen e kampionatit, është pjesë e kuqebluve, madje duke luajtur edhe në ndeshjet e Kupës. Ndërkohë që edhe në shumë raste për kampionat ka qenë i gatshëm në stol për aktivizim të mundshëm.
Hapësirat e pakta në mundësinë e aktivizimit tek skuadra kuqeblu bënë që ai, në mirëkuptim me drejtuesit e Vllaznisë, t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së pukjanëve për të luajtur në gjysmën e dytë të sezonit me ta. Pranë një mundësie të tillë thuhet se ka qenë edhe kolegu i tij Ergi Borshi, futbollist që në fakt ka pasur më shumë hapësira aktivizime si në Kupë dhe kampionat me Vllaznisë.
Ai ka luajtur në dy role si mbrojtës edhe si mesfushor. Nga sa bëhet e ditur që të dy kanë udhëtuar drejt Pukës ditën e mërkurë, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në stërvitje me Vllazninë. Por lajmet më të fundit që vijnë nga klubi Vllaznia bëjnë të ditur se vetëm Beci ka qëndruar tek Tërbuni, ndërsa Borshi është rikthyer sërishmi në Shkodër.