Futbollisti shkodran: “Ndeshje e vështirë, por Vllaznia kërkonpatjetër 3 pikët”. Duke folur konkretisht për ballafaqimin në fjalë, Vllaznia-Flamurtari, që për ironi të fatit dita e zhvillimit të saj u shndërrua në një “telenovelë” më vete duke u zhvendosur përsëri zyrtarisht për ditën e hënë në ora 16:00, Antonio Marku e konsideron shumë të vështirë, por jo të pa kalueshme për to.
“Është një ndeshje tepër e rëndësishme, është ndër ato ndeshjet që mund të quhen “finale” duke pas parasysh situatën që jemi për momentin në tabelën e renditjes, ndërsa jemi vetëm një prapa Flamurtarit, – ka deklaruar zv/kapiteni shkodran. – E gjitha kjo e bën këtë përballje për ta cilësuar si shumë të rëndësishme për rezultatin. Të paktën që të mos humbin.”
“Por normal që duke qenë në fushën tonë do të kërkojmë maksimumin për marrjen e tre pikëve të plota, gjë të cilat, jo vetëm unë, por edhe të gjithë shokët e ekipit janë të bindur se do t’i marrim”, – shton Marku. Në vijim të prononcimit për mediet, ai u pyet nga gazetarët edhe për anën morale dhe tensionin që në një farë mënyre anon nga kuqeblutë, të cilëve u kërkohet patjetër marrja e një rezultati pozitiv në këtë ndeshje.
“Tensioni? – tha mbrojtësi shkodran. – Përderisa thashë se është finale, mendoj se edhe tensioni ekziston, por ne duhet të jemi sa më të qetë sepse luajmë në fushën tonë. Kemi mbështetjen e publikut dhe gjithkush nga ne duhet të japë maksimumin në këtë sfidë për të realizuar objektivin që i kemi vënë vetes, atë të qëndrimit në Kategorinë Superiore.”
“E me marrjen e trepikëshit ndaj Flamurtarit është mëse i mundshëm si objektiv”, – shtoi Marku. Sipas tij, ana morale natyrisht që nuk është e mirë dhe për këtë thotë se: “duke e krahasuar me atë që kishim më përpara, kur me fitoren e realizuar në fushë të huaj me Bylisin u shkëputem me tetë pikë diferencë nga ndjekësit tanë, me këtë të tashmen pas tre humbjeve radhazi është krejt tjetër”.
Ndërkohë, në përfundim, futbollisti kuqeblu, ka deklaruar: ”Dhe me këtë fitore që besoj se do të jetë e jona rikthehemi edhe një herë aty ku ishim më parë me ato pozitat që na bënë të ishim shumë të qetë dhe shumë të kënaqur dhe me shumë pozitiv”.