AlbanianSport.com 08/01/2018 15:15
ASNN – Vllaznia trishtoi zemrat e tifozëve të saj me rënien nga kategoria në fundin e sezonit të kaluar dhe tani luan në Kategorinë e Parë, me shpresën se do të kalojë shpejt këtë periudhë e të rikthehet mes më të mirave. Sot erdhi një lajm i mirë për klubin shkodran, pasi një klub i pasur nga Katari interesohet për binjakëzim me klubin shkodran.
Kështu, sot u nënshkrua një marrëveshje mes Vllaznisë dhe “Muaither Club” të Katarit. Ajo është firmosur nga Drejtori Sportiv i kuqebluve, Engin Fërat, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të “Muaither Club”, Mahmud Al Mahmud. Një marrëveshje e tillë synon krijimin e marrëdhënieve të mira të bashkëpunimit midis dy klubeve, duke filluar nga ndeshjet e përbashkëta të ekipeve, realizimi i kampeve stërvitore të përbashkëta apo dhe pjesëmarrja në turne të ndryshme.
Nga njoftimi paraprak mësohet se kjo marrëveshje do t’i shërbejë Vllaznisë së Shkodrës për krijimin e mundësive të reja të zhvillimit si në aspektin e përgatitjes së ekipit por dhe për transferimet e lojtarëve. Prej kohësh Vllaznia po synon të futet në rrugën e privatizimit dhe të progresit, por ironia e fatit është se sa herë Vllaznia nis të bëjë diçka të mirë, shfaqen forcat e kundërta që ia dëmtojnë planet. E ata që vuajnë janë lojtarët e ish-lojtarët, stafet teknike dhe tifozët.