Denis Bajraktari (Shkodër) 02.02.2016 23:45
ASNN – Merkatoja e Vllaznisë nuk është mbyllur akoma dhe Arsid Kruja pritet të jetë përforcimi i fundit për shkodranët. Një gjë të tillë e pranon vetë sulmuesi shkodran, i cili ka deklaruar: “Akoma nuk kam firmosur me ekipin shkodran, por një gjë e tillë pritet të ndodhë këto ditë. Mund t’ju them se me 99% do të jem lojtar i Vllaznisë.” Por, për të arritur të nënshkrimi i kontratës mes klubit shkodran dhe Krujës qëndron një problem, i cili nuk është i lehtë për t’u zgjidhur.
Bëhet fjalë për kontratën e Krujës që e lidh at me klubin arab, që ka ne zotërim kartonin e tij. Në lidhje me këtë problem, Kruja thotë: “Për momentin jam një lojtar i ekipit arab dhe pa kryer punë me letrat, pra pa marrë kartonin, nuk mund të largohem për tek asnjë ekip tjetër. Ndërsa te ekipi i Laçit, kam qenë i huazuar deri në fund të dhjetorit dhe kontrata me atë ekip ka përfunduar.” Kruja zbulon se ka paditur ne FIFA klubin arab dhe po pret përgjigjen e institucionet më të lartë sportiv.
“Unë kam hedhur në gjyq ekipin arab dhe po pres përgjigjen e FIFA-s, – ka theksuar futbollisti shkodran. – Sa të marr përgjigjen, do të firmos direkt me Vllaznisë, por deri atëherë nuk mund të bëj asnjë lëvizje. Por, jam i bindur se nuk do të vazhdoj me ekipin arab dhe, ashtu siç ju thashë, me 99% do të jem lojtar i Vllaznisë.” Ajo që favorizon afrimin e Krujës të Vllaznia është se, pavarsisht se merkatoja është mbyllur për Kategorinë Superiore, për skuadrat që kanë një ekip B, ashtu siç shkodranët kanë Vllazninë B në Kategorinë e Tretë, merkatoja përfundon me 15 shkurt.
Pra, edhe 13 ditë kohë për Krujën për t’u rikthyer në “shtëpi”.