Në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Sport Ekspres” menjëherë pas marrjes së lajmit që ai ka marrë zyrtarisht statusin e futbollistit të lirë, Arsid Kruja ka folur edhe për projektet e së ardhmes. “Unë në fakt kam qenë në kontakt me ekipin e qytetit tim, Vllazninë, dhe madje kam pasur disa biseda me vetë trajnerin Armando Cungu, – ka rrëfyer ai. – Me të, duke qenë se pata bashkëpunuar në gjysmën e parë të sezonit të kaluar tek Laçi, patëm një projekt të hapur për të luajtur me kuqeblutë në dy fazat e dyta të kampionatit që sapo përfundoi.”
Por edhe pse dëshirat dypalëshe ishin për një gjë të tillë, veshja e tij kuqeblu nuk u arrit të zyrtarizohej asnjëherë për vete faktin e asaj që trajtuam më sipër, bllokimin pra të kartonit nga skuadra arabe Al Hair Hasa. Çfarë ka kaluar tashmë ka kaluar dhe Kruja, edhe pse është dëmtuar me mosaktivizimin në pjesën e mbetur të kampionatit, nuk ka pse shikon prapa. Ai kërkon menjëherë të rifutet në negociata me klubet përkatëse për të nisur një etapë tjetër, atë të sezonit të angazhimit të sezonit të ri futbollistik më shpresën dhe dëshirën për të kompensuar atë që ka humbur nga sezoni i kaluar.
I pyetur se ku e ka destinacionin e ardhshëm, mesfushori, që në 8 qershor mbush 23 vjeç, nuk nguron ta shprehë dëshirën për të vijuar kontaktin me trajnerin Cungu aty ku e ka lënë në ditët e janarit për t’i dhënë një mundësi që ai të veshë fanellën e Vllaznisë. Ndoshta, për momentin kur kampionati sapo ka përfunduar, nuk e favorizon Krujën për të bërë veprimet e duhura, por në mentalitetin e tij ekziston një dëshirë dhe objektiv për t’i dhënë sa më shpejt zgjidhje pozicionit të së ardhmes së tij.
Ndaj këto ditë ai ka ndërmend të kontaktojë me trajnerin Cungu, si dhe drejtuesit e klubit kuqeblu për të ditur vendimin e tyre nëse ai mund të jetë në planet e tyre. “Përndryshe – thotë Kruja – ai do të detyrohet të rihapë kontaktet me skuadrat e tjera të kampionatit shqiptar, apo edhe ndonjë variant për jashtë vendit për të gjetur hapësirën e aktivizimit të sezonit të ri futbollistik”.