Kryebashkiakja e re Ademi prioritet kryesor zgjidhjen e problematikes së futbollit shkodran. Bashkia e Shkodrës është e fundit ndër të gjithë bashkitë e Shqipërisë që është konstituuar. Një proces ky paksa i vonuar në raport me homologet e tjera, që, krahas të tjerave, ka dhënë ndikimet e veta edhe në disa zgjidhje të mundshme që opinioni sportiv shkodran e më gjerë i pret nga drejtuesit e rinj bashkiakë. Dhe pas një mbledhje të gjatë e të lodhshme maratonë, të filluar paradite dhe të përfunduar në mbrëmje, Bashkia e Shkodrës është legjitimuar me drejtuesit e rinj.
Fillimisht ka qenë një proces i gjatë i shoqëruar me një garë të fortë për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Interesant ka qenë fakti se rivaliteti për këtë post ishte mes dy anëtarëve të Bordit Mbikqyrës Vllaznia, Luan Heta i krahut të majtë dhe Xhemal Bushati i së djathtë. Ky i dyti me pesë vota më shumë fitoi duke marrë drejtimin e këshillit për një mandat katërvjeçar. Ndërkohë në sallë nuk kanë munguar edhe emrat e anëtarëve që vijnë nga bota e sportit, si ai i të madhit të koshit shkodran dhe atij shqiptar, Renato Radoja.
Madje, duke qenë më i moshuari ndër të gjithë anëtarët e pranishëm, ai pati privilegjin t’i besohej hapja e dhe drejtimi i mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak. Një tjetër koleg, po aq i nderuar i Radojës, që vjen nga sporti i basketbollit është edhe Filip Guraziu, ish kryetar Bashkie i Shkodrës. Nuk do të mungonte edhe futbolli, që përfaqësohej nga një emër potent si ai i sulmuesit dhe golashënuesit më të mirë të gjitha kohërave në brezat e Vllaznisë në vite, Vioresin Sinani.
Por ajo që ka interesin më të madh nga opinioni sportiv shkodran, aq shumë i preokupuar gjatë periudhës së fundit për çështjen Vllaznia, ka të bëjë me postin e kryebashkiakes së re, zonjës Voltana Ademi, e cila për hir të së vërtetës është pjesë e një familje të njohur sportive. Babai i nderuar i saj që sot nuk jeton, Vehbi Ademi ka qenë ndër më të njohur volejbollistë dhe basketbollistë të brezit të parë dhe të hershëm të Vllaznisë. Ndër të tjera, pas marrjes zyrtare të postit të saj, në fjalën e saj përshëndetëse, krahas angazhimeve kryesore të administrimit dhe zhvillimit të qytetit, zonja Ademi e cilësoi si pikë parësore sektorin e sportit.
“Klubi i futbollit “Vllaznia” dhe ai Shumësportësh mbeten sfidë për Bashkinë. Bazuar në legjislacionin në fuqi ne do të jemi të hapur për bashkëpunim. Procesi i financimeve, i donacioneve dhe i menaxhimit do të kryhet në transparencë dhe me përgjegjësi”, u shpreh kryebashkiaka e re e Shkodrës, Voltana Ademi. Ajo shfaqet tejet e angazhuar dhe e predispozuar për të bërë më të mirën për sportin dhe në veçanti për Vllazninë e futbollit, që siç është shprehur edhe ajo vete që në ditën e parë të punës së saj do ta ketë në programin prioritar të punës së saj.