Stafi teknik, me në krye trajnerin Armando Cungu, nuk ka kohë për të humbur dhe kështu pas disa seancave testuese ajo e së enjtes është shfrytëzuar maksimalisht për kolaudimin e formacionit të parë. Ditët e kaluara skuadra ka vuajtur nga problematika e mungesës së titullarëve me probleme shëndetësore.
Nga sa është parë prej emrave të listës së infermierisë, vetëm mesfushori Ardit Krymi, i cili edhe pse ka qenë i pranishëm në stërvitje, falë probleme fizike që vazhdojnë ta shqetësojnë ka mbetur jashtë projektit të formacionit të parë. Të tjerët, ndonëse akoma në formën e tyre më të mirë, janë treguar të gatshëm për të qenë në fushën e lojës.
Një gjë e tillë është parë më së miri kur pas minutazhit të punës me topin, si dhe të aplikimit të skemave teknike dhe taktike, trajneri Cungu ka shpalosur në të gjithë hapësirën e fushës 11-shin e parë në një lojë testuese mes dy formacioneve të kuqebluve.
Falë edhe rikthimit të qendërmbrojtësit Vrapi, që ka lënë pas skualifikimin me 3 kartonë të verdhë, skuadra pritet të dalë në fushë nga minuta e parë me emrat më të mirë që ka në dispozicion. Dragojeviç në portë, Arbri, Cicmil, Vrapi dhe Marku në mbrojtje, Tafili, Bardulla, Sefa, Shtubina në mesfushë e Kalaja dhe Çinari në sulm.
Ndonëse nuk është përfshirë për të luajtur nga minuta e parë, pozitive për skuadrën konsiderohet edhe përmirësimi i ndjeshëm i sulmuesit Arenc Dibra, i cili arriti të luante tek e dyta duke qenë një alternativë e gatshme për trajnerin Cungu.