Infermieria shkodrane është bërë “çil e mbyll”. Kthehen në fushë Marku e Krymi, por vazhdojnë të mos jenë të gatshëm Dibra dhe Hakaj, që dje ka bërë tërheqje muskulore. Sot Cungu vë piketat për formacionin. Ndonëse me jo pak probleme, sidomos në drejtim të një kontingjenti titullarësh në infermieri, kuqeblutë janë gati për përballjen e së shtunës me skuadrën laçiane.
Një ndeshje kjo që, sipas informacioneve më të fundit të marrë pranë klubit Vllaznia, do të luhet në “Reshit Rusi” në orën 13:30 dhe jo në 14:00 siç ishte publikuar ditë më parë në kalendarin e FSHF-së. Në fakt, për të qenë plotësisht gati, trajneri Armando Cungu i duhet të presë edhe seancën e fundit stërvitore të ditës së sotme, kur ai do të ketë mundësitë për testuar disa prej titullarëve të cilët gjatë të gjithë javës kanë qenë në dyshim për t’u aktivizuar për arsye dëmtimi.
Konkretisht bëhet fjalë për dyshen Marku-Krymi, të cilët, falë një terapie intensive pranë stafit mjekësor, në seancën e ditës së enjte dhanë shenja premtuese për t’iu bashkangjitur njëmbëdhjetëshit të parë në fushën e lojës. Në këtë mënyrë, trajneri Cungu provoi t’i aktivizonte në formacionin e parë gjatë minutave testuese në fazën përmbyllëse të krejt seancës.
Por ndryshe ndodhi me sulmuesin Dibra, i cili vijon të ketë problem me dëmtimin e tij në gishtin e madh të këmbës. Ndërkohë që dje, si rezultat i një tërheqje muskulore, në infermieri ka përfunduar edhe Hakaj, që në seancën e djeshme nuk ka arritur të stërvitet plotësisht me skuadrën.