ASNN – Në konferencën për shtyp të Vllaznisë, të mbajtur të shtunën, një ditë para sfidës me Kastriotin të dielën, në krah të trajnerit Tomas Brdariç, ka qenë edhe mesfushori Herald Marku, i cili fillimisht ka folur për skuadrën krutane, duke e vlerësuar ecurinë e ekipit fanellën e të cilit ka veshur dikur. “Është një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë”, – ka thënë ai.
“Kam qenë pjesë e Kastriotit, kam shumë respekt për klubin dhe drejtuesit, se më kanë mbështetur, – ka vijuar futbollisti laçjan. – Por, nesër (të dielën) futemi për të bërë mirë e marrë fitoren. Po kalojmë një gjendje të mirë në fushë e jashtë saj. Kemi atmosferë të mirë, që mbizotëron, ndaj duhet ta mbajmë këtë ritëm.” 24-vjeçari ka shënuar dy herë në kampionat dhe një herë në Kupë dhe nuk druhet ta provojë golin.
“Uroj të jetë fati im nesër”, – thotë ai, duke shtuar: “Nëse shënoj do të ishte një kënaqësi, edhe pse nuk do të festoj në shenjë respekti për Kastriotin.” Vllaznia kryeson e shkëputur renditjen, por futbollisti kuqeblu nuk i lë vend euforisë, teksa thotë: “9 pikë diferencë na bëjnë të ndihemi komodë, është diferencë e kënaqshme. Ne i marrim kapitujt me radhë.
“Duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme, të bëjmë atë që dimë më mirë”, – shton Marku, i cili nuk dëshiron të përzgjedhë rivalë në kampionat. “Rivali? Rivali më i fortë është Vllaznia, se ne po bëjmë më mirë, – këmbëngul ai. – Duhet të tregojmë vazhdimësi. Nuk dua të jap një emër, se të gjithë janë të fortë, por besoj te forca jonë, se mund të arrijmë diçka.”
“Ne nuk kemi thënë në fillim të sezonit që jemi për mbijetesë, por për Kupat e Evropës, – ka vijuar mesfushori. – Çdo rezultat pozitiv përtej kësaj e presim me krahë hapur. Nuk kemi trysni, jemi brenda objektivave dhe jemi në rregull. Luajmë në fushën tonë nesër, ndaj një kundërshtari të vështirë, duhet patjetër fitore. Mendoj se jemi i vetmi ekip, që kemi marrë pikët e plota me të ashtuquajturat “të vogla””, – ka përfunduar Marku.