Gjergj Vyshka 22.04.2017 10:50
Vllaznia ka hedhur hapin e parë drejt titullit “kampion” në volejboll për meshkuj, ndërsa trofeu i fundit i fituar prej kuqebluve është Kupa e Republikës më 1989, kohë në të cilën luante dhe trajneri i sotëm, Mark Kroqi. Shkodranët, edhe pse pak me ngathtësi, kanë hyrë në lojë dhe më pas ia kanë dalë ta mundin Studenti 3-1, ndërsa është fitorja e tyre e para ndaj kampionëve në fuqi të rrjetës shqiptare për sezonin 2016-2017.
Por problemi i shkërmoqjes së Studentit mund të jenë dhe vendimet e gjyqtarëve Rudina Omari dhe Eduard Preka, së bashku me ndihmësit Anxhelo Brokaj dhe Kastriot Tota. Gjithçka i referohet setit të dytë, ndërsa në rezultatin 17-18 për Vllazninë, Kula ka goditur fort nga pozicioni 3 dhe topi ka përfunduar brenda fushës së shkodranëve, madje përpara këmbëve të trajnerit kuqeblu Mark Kroqi.
Ndihmësi Tota, por dhe gjyqtari i dytë, Preka, pavarësisht se më pas e ka tërhequr dorën, e kanë dhënë vendimin e tyre për top brenda fushës së Vllaznisë. Por Omari ka ndryshuar vendim, ndërsa e ka cilësuar gjithçka jashtë. Kaq ka mjaftuar që Studenti të tjetërsohet, ndërsa për protesta vjen kartoni i verdhë për trajnerin Sako dhe më pas kartoni i kuq për kapitenin Blerim Pepaj.
E përtej kësaj situate të vendimeve të diskutueshme të gjyqtarëve Omari dhe Preka, Vllaznia e ka merituar suksesin. Nuk ka qenë në maksimumin e vet Xhorxheviçi, Rrashketa e Nikolin Qafarena. Por ama një Anton Qafarenë i jashtëzakonshëm mjafton sa për të mundur Studentin. Ndaj Vllaznia e ka merituar suksesin e parë drejt titullit kampion.