AlbanianSport.com 19/01/2021 21:40
ASNN – Pas një jave pezullimi për arsye kartonash, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, rikthehet sërish të jetë i gatshëm për stafin teknik, pikërisht në ndeshjen e së mërkurës ndaj Bylisit. Duke folur para gazetarëve, numri 2 i kuqebluve është shprehur entuziast për një tjetër fitore edhe në këtë ndeshje.
“E kam lënë pezullimin pas dhe jam i lumtur që jam rikthyer, siç isha i lumtur për ndeshjen që zhvilluam ndaj Kukësit, – ka thënë ai, duke folur fillimisht për rikthimin në formacion. – Kruja e bëri shumë mirë rolin e mbrojtësit të djathtë. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës.”
Në vijim, mbrojtësi i krahut të djathtë ka folur për përballjen me ballshiotët, të vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore. “Nuk duhet parë renditja, sepse, edhe pse nuk është skuadra e sezonit të kaluar, Bylisi është sidoqoftë, shumë agresive në fushën e saj.
“Do jetë e vështirë, ata kanë në favor fushën që nuk ka nivel si e jona apo edhe ajo e Elbasanit, – ka vijuar Gurishta. – Të marrim masat dhe të shkojmë atje vetëm për 3 pikë.”
Në fakt, ka patur një statistikë interesante këtyre javëve të fundit tek Vllaznia, teksa futbollisti që ka dalë në konferencën për shtyp para një ndeshjeje, ka vijuar të shënojë të nesërmen në të. Po, a do të kemi golin e parë këtë sezon për Gurishtën? “Shpresoj që të vijë edhe goli im i parë këtë sezon. Pak rëndësi ka kush shënon te Vllaznia, rëndësi ka të fitojë ekipi”, – përgjigjet kapiteni.