ASNN – Kuqeblutë e kanë kaluar mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Durrësit duke qenë të akomoduar në një nga hotelet cilësore të bregdetit durrsak, në prag të sfidës së të dielës, që kuqeblutë e humbën me rezultatin minimal 0-1.
Menjëherë pas përfundimit të seancës stërvitore të së shtunës skuadra ka lënë qytetin e Shkodrës aty rreth orës 16:00 duke udhëtuar drejtpërdrejt për në Durrës.
Duke iu referuar dy fazave të para të kampionatit ku, falë situatave problematike financiare, skuadra ka udhëtuar brenda ditës për ndeshjet në fushën të huaj, sipas administratorit të KF “Vllaznia”, Astrit Gjyrezi, tashmë këto gjëra kanë marrë fund.
“Jo vetëm që sa herë të luajë jashtë skuadra do të udhëtojë dhe akomodohet me komoditetin e duhur një natë përpara ndeshjes, por grumbullime të tilla do të ketë edhe për ndeshjet brenda”, – ka deklaruar Gjyrezi.
Ai bën të ditur se këto ditë në numrat e llogarisë së futbollistëve do të kalojë edhe paga mujore e muajit janar.