Mund të ishte një finale mbijetese, por edhe pse jo e tillë, përballjae së mërkurës në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës ishte një sfidë e shumë luftuar nga të dyja skuadrat. Miqtë me ndonjë rreze shprese në horizont, duke pritur ndonjë dhuratë nga dy ndeshjet e tjera të Vlorës dhe Laçit, ku luanin rivalet e saj të mbijetesës, u shfaqën shumë të mobilizuar në fushën e lojës.
Po ashtu edhe Vllaznia, e cila në fakt gjatë dy-tre ditëve të pragndeshjes nuk ka reshtur të deklarohej se kërkonte patjetër fitoren për mbajtjen e vendit të 6-të në renditje. Dhe në fakt ka bërë të njëjtën gjë. Kjo ka bërë që sfida në fjalë, sidomos ajo e 45 minutave të dyta, të marrë ngjyra emocionale. Kreu i stolit shkodran, Armando Cungu, ka qenë i kënaqur, por, që të qëndrojë në krye të kuqebluve kërkon një tjetër skuadër për sezonin e ardhshëm, fituese trofesh e jo për mbijetesë
E mbështetur nga një tifozeri e zjarrtë, e cila për këtë ndeshje, falë vendimit të drejtuesve të klubit të futbollit Vllaznia ishte favorizuar në futjen në stadium pa bileta, skuadra kuqeblu lëshoi sinjalet e para që kërkonte patjetër kalimin në avantazh në një mundësi sa më të shpejtë. Po pikërisht atëherë kur e kërkon më shumë, ajo nuk vjen. Shërbimi në fakt iu bë jo pak here, sidomos me ngulmimin nga linja e majtë ku krahas Kalasë, vazhdimisht shfaqej në mbështetje të sulmit edhe mëngjërashi Marku.
Nëse Dibra, dy herë Kalaja, Tafili dhe ndonjë tjetër do të kishin qenë më të qetë në veprimet e tyre përpara porte, Vllaznia do ta kishte zhbllokuar patjetër rezultatin. Por nëse nuk u arrit në këtë pjese, meritë të veçantë ka edhe portieri Stivi Frashëri, i cili me ndërhyrjet e tij të sakta shpëtoi disa herë portën e tij. Ndërkohë, nga ana tjetër, Hoxhaj e Peposhi bëhen protagonist të dy momenteve të vështira në portën vendase duke treguar se kanë ardhur me pretendime në Shkodër.
Pas pushimit duket se Cungu shumë i pakënaqur nga mosshënimi i golit të epërsisë, i ka shkundur të tijtë, të cilët me të zbritur në fushë nisin presingun në gjysmëfushën mike duke mos vonuar të dalë në dritë shumë shpejt edhe goli i shumëpritur. Ai vjen pas golit të shënuar nga Arlind Kalaja në të 50-ën minutë, pas një ngulmimi të kuqebluve në krahun e majtë, në ndihmë të të cilit është edhe mbrojtësi Marku që lëshon një kros të përpiktë në zonë duke i dhënë mundësi Arlind Kalasë të kalojë në epërsi kuqeblutë.
Goli e ka “ndezur” lojën edhe më shumë dhe për këtë meritë kanë miqtë që duke mos u pajtuar me rezultatin shfaqen në disa momente shumë rrezikshëm pranë portës së Selimajt, por pa arritur ta mposhtin atë. Por edhe Vllaznia nuk qëndron duarkryq. Trajnerin Cungu nuk e zë vendi në stolin e rezervave, duke vijuar të orientojë pa pushim në kërkim të golit të dytë të sigurisë, pasi vetëm në këtë mënyrë shkohej tek arritja e atij objektivi që i kishin vënë vetes, marrjen patjetër të 3-pikëshit.
Dhe në fakt shërbimet edhe për një gol të dytë kuqeblutë i bënë më së miri me krijimin e disa rasteve të pastra për shënim, por, herë për nxitim të sulmuesve, dhe, herë për meritë të Frashërit, rezultatin nuk ndryshoi më. Për t’u theksuar në këtë pjese loje është edhe një karton i kuq që gjyqtari akordoi ndaj futbollistik mik Simiç si rezultat i ndërhyrje të rrezikshme nga prapa në dëm të mesfushorit shkodran Bardulla. Fishkëllima përfundimtare e gjyqtarit kryesor Ardin Beqiri fikson shifrat 1-0 për Vllazninë.
Skuadra dhe publiku i gëzohen 3 pikëve duke festuar si zakonisht pranë tribunës. Tre pikë që e bëjnë Vllazninë të shijojnë vendin e gjashtë, ku krahas të tjerave ka jo vetëm vlerë morale, por edhe materiale pasi përfshirja në gjashtë më të mirat e favorizon klubin kuqeblu në përfitimin e një shumë të konsiderueshme të së drejtës televizive nga ana e FSHF-së.
Vllaznia – Bylis 1-0
Shënues: Kalaja 50’
E mërkurë, 18 maj 2016, ora 17:00
në Fushën Sportive “Reshit Rusi”, Shkodër
Vllaznia: Selimaj, Gurishta, Cicmil, Vrapi, Marku, Tafili (Sefa 71’), Vecaj (Erkoçeviç 65’), Dibra (Çinari 47’), Bardulla, Krymi, Kalaja. Trajner: A. Cungu
Bylisi: Frashëri, Simiç, Brahja, Bilali, Dukiç (Varea 65’), Alla (Mbella 57’), Gava (Kapllanaj 86’), Tairi, Muskaj, Peposhi, Hoxhaj. Trajner: M. Kule
Gjyqtarë: A. Beqiri, D. Agaraj, A. Shkreta (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Krymi / Muskaj, Gava, Dukiç, Brahja
Karton i kuq: Simiç